Sikur edhe shumë qytetarë të tjerë të Kosovës, edhe unë i jam gëzuar shumë shkuarjes së PDK-së në opozitë. Kjo për dy arsye. E para është parimore, aksioma themeltare e demokracisë kërkon rotacion të pushtetit (arsyet për këtë janë të vetëkuptueshme e të nënkuptueshme). E dyta është praktike, mbi një dekadë në pushtet PDK në shumicën e kohës është dëshmuar për keq-qeverisje.
Vetëm se, për dallim prej shumë qytetarëve, unë nuk i gëzohem opozitarizmit të dobët e të keq të PDK-së (edhe të partive tjera opozitare, por PDK është partia më e madhe opozitare, prandaj po flas për të). Kjo jo për faktin se më dhimbset PDK, por për faktin se besoj fuqishëm se opozita e fuqishme dhe e mirë i kontribuon vendit e shoqërisë po aq sa një qeveri punëtore dhe e mirë.
Bazuar në atë që pamë në seancën e djeshme të kuvendit, përkatësisht nga fjalimet e deputetëve të PDK-së (me një ose dy përjashtime), është e qartë se PDK e ka filluar opozitarizmin e vet bazuar në disa premisa të gabuara, megjithëse unë do të ndalem vetëm te premisa kryesore e gabuar e PDK-së.
PDK dje përmes të gjitha fjalimeve të deputetëve të saj e kritikonte dhe e akuzonte LVV-në për rrugëtimit e saj opozitar deri te ardhja në pushtet. Përveç tjerash, më së shumti e kritikonte dhe e akuzonte LVV-në për ndryshim qëndrimesh, për ashpërsim të diskursit politik, për qëndrime radikale e për veprime të dhunshme. Përmes kësaj, drejtpërdrejt e tërthorazi, PDK zotohej se do t’ia kthente LVV-së opozitarizmin e vet (të PDK-së) me të njëjtën monedhë, në mos më keq. Në shikim të parë mund të duket se gjithçka është në rregull me këtë, parimi “sy për sy”, pse jo?! Duket përfundim i logjikshëm, rrjedhimisht qëndrim parimor. I tillë do të ishte sikur premisa kryesore të mos ishte e gabuar. Veç kësaj, ka edhe një kundërthënie logjike këtu: s’mund të përligjet kritika e akuza që i bën tjetrit për sjellje të keqe, duke premtuar se do të sillesh po aq keq, madje edhe më keq.
Të kthehem sërish te premisa e gabuar. Se në këtë rast premisa kryesore është e gabuar, duhet përmendur faktin se ka një dallim qenësor në mes “opozitarizmit hyrës” (një parti opozitare që garon për të ardhur në pushtet për herë të parë) dhe “opozitarizmit ciklik” (një parti opozitare që ka qenë më herët në opozitë dhe në pushtet).
Opozitarizmi hyrës, duke mos qenë i mishëruar me fuqinë dhe përgjegjësinë e pushtetit real dhe duke mos qenë i ballafaquar me kufizimet dhe pengesat e real-politikës, mund të jetë edhe utopik, edhe idealist, edhe avanturier, edhe euforik, edhe i ashpër, edhe radikal, edhe i dhunshëm. Kjo është diçka e natyrshme, kjo është rruga natyrore e pjekurisë së një partie politike, rrugë e cila duhet të rezultojë me pjekurinë e partisë politike pasi të ketë përfunduar një mandat qeverisës.
Për dallim prej kësaj, opozitarizmi ciklik nënkupton se partia politike ka kaluar nëpër opozitarizmin hyrës dhe gjatë qeverisjes është mishëruar me pushtetin dhe real-politikën. Rrjedhimisht një partie të tillë opozitare nuk i lejohen ato që i lejohen një partie të re. Prej një partie opozitare që e ka kaluar rrugëtimin e opozitarizmit hyrës dhe të pushtetit pritet pjekuri, maturi, bashkëpunim, realizëm, racionalizëm, objektivizëm. Çdo largim nga këto cilësi e veprime do ta bëjë opozitarizmin e dobët e të keq dhe do ta zgjasë kohë-qëndrimin e partisë në opozitë. Kjo sigurisht që nuk është e shëndetshme për vendin e shoqërinë, për partinë jo se jo.
PDK-ja duhet ta kuptojë shumë mirë këtë realitet dhe duhet të sillet në përputhje me të. Për këtë, PDK-ja duhet ta rikujtojë historinë e vet, procesin e vet të pjekurisë partiake 1999-2020, ku ka filluar atëherë e ku ka përfunduar sot. Për këtë, PDK-ja duhet ta gjykojë veten pse është në opozitë e jo t’i kritikojë të tjerët pse e kanë marrë besimin qytetar për të qeverisur me vendin. Për këtë, PDK-ja duhet të heqë dorë nga përdorimi e keq-përdorimi i historisë dhe duhet të mbështetet në të bëmat e veta në të kaluarën dhe në vizionin e vet për të ardhmen. Për këtë, PDK-ja duhet ta reformojë veten mirëfilli, duhet të nxjerrë në ballë të saj njerëz të aftë, të pastër, me integritet, të pjekur, të matur, bashkëpunues, racionalë e objektivë.
Në të kundërtën, nëse PDK-ja do të vazhdojë të prezantohet me njerëz që nuk dinë të lexojnë fjalimet e para-shkruara e me njerëz të konsumuar e të komprometuar nga pushteti i gjatë, nëse PDK-ja do të vazhdojë të bëjë opozitë idhnake e konfrontuese me akuza imagjinare (që do t’ua kishte lakmi edhe Dan Broun) e duke e projektuar veten te pushteti i tanishëm, nëse PDK-ja do të vazhdojë ta përdorë e keq-përdorë emrin e lavdinë e UÇK-së në vend se ta gjykojë keq-qeverisjen e vet e të ndërtojë vizion e ofertë për të ardhmen e vendit e për qytetarët, nëse PDK-ja nuk do të tregohet opozitë e pjekur, racionale, objektive e bashkëpunuese në proceset e rëndësishme, të brendshme e të jashtme, nëpër të cilat do të kalojë vendi ynë, atëherë PDK-ja që tani po i garanton qeverisjes aktuale pushtet së paku mbi dhjetëvjeçar. Unë vërtet i kam kontribuuar ardhjes së LVV-së në pushtet (me aq sa kam mundur), por assesi nuk do t’i gëzohesha qëndrimit të saj në pushtet për më shumë se një dekadë pa ndërprerë (arsyet për këtë janë të vetëkuptueshme e të nënkuptueshme).