Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj sot kishte bërë të ditur se ka dërguar dy ftesa për Visar Ymerin dhe Isa Mustafën, që të takohen për të biseduar në lidhje me formimin e institucioneve.
Oferta e kandidatit për kryeministër nga PAN, është refuzuar nga të dyja subjektet politike.
Por, analisti politik Ramush Tahiri po vlerëson se VV-ja dhe LDK-ja i kanë refuzuar këto ftesa, pasi duhet të respektohet ligji dhe kushtetuta e Kosovës.
“Varet nga Haradinaj se me kënd dëshiron ta bëj Qeverinë dhe çfarë mandati ka. Momentalisht ai shkruan në emët të vet, as si kryetar i AAK-së e as si kandidat për kryeministër. Është ftesë që i plotëson disa kritere, por disa tjera jo. Është e drejtë normale që para konstitutimit të Kuvendit që të refuzohet edhe nga VV edhe LAA, sepse duhet të respektohet ligji dhe kushtetutën, megjithë vullnetin dhe dëshirën e Haradinaj për krijimin e Qeverisë”, ka thënë Tahiri për lajmi.net
Sipas tij, lideri i AAK-së i ka gabuar hapat, por e ka vlerësuar vullnetin dhe dëshirën e Haradinajt për zgjidhjen e situatës politike.
“Ai njëherë duhet ta merr mandatin prej presidentit Thaçi, e cila dërgohet në Kuvend, e atëherë të hynë në bisedime. Momentalisht mund të flet vetëm si lider i AAK-së. Mendoj që ka gabuar hapat, ani që ka shpreh vullnetin dhe dëshirën”, përfundoi Ramush Tahiri.
Përkundër kësaj, lideri i AAK-së ka vazhduar me deklarimet se Qeveria do të formohet në afat rekord.