Skandal në raportin gjermano-izraelit: Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu e refuzoi ministrin e Jashtëm Sigmar Gabriel sepse ai do të takojë grupe kritike të të drejtave të njeriut.
Norbert Röttgen (CDU/CSU) e quan vendimin izraelit një shkarje. “Një gabim në anën izraelite, për të ardhur shumë, shumë keq”, shprehet zëdhënësi për politikën e jashtme i Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag. Pak para kësaj, kryeministri Benjamin Netanjahu zyrtarizoi atë që qarkullonte prej ditësh: për shkak të synimit të Sigmar Gabrielit për t’u takuar në mbrëmje me grupe të të drejtave të njeriut kritike ndaj qeverisë izraelite, nga zemërimi, ai e ka fshirë nga agjenda takimin midis tij dhe ministrit të Jashtëm gjerman.
Kurse gazeta e përditshme izraelite “Haaretz” nga ana e saj informon se Netanjahu kishte dashur të fliste pikërisht për këtë me Gabrielin, por ai nuk i qe përgjigjur telefonatës nga zyra qeveritare. Gabrieli vetë e quajti anulimin “jo katastrofë”. Raporti nuk do të dëmtohet, as midis tij dhe Izraelit dhe as midis të dyja shteteve.
Ky nuk është incidenti i parë
Netanjahu e justifikoi refuzimin e tij. Zyra e tij bëri të ditur të martën pasdite se kryeministri nuk takohet me vizitorë të huaj, “të cilët shpifin se ushtarët izraelitë janë kriminelë lufte”. Gabrieli donte të takohej me përfaqësues organizatash si Breaking the Silence dhe Betselem, të cilat dokumentojnë shkelje të të drejtave të njeriut të ushtarëve izraelitë dhe i publikojnë të dhënat e tyre.
Një incident i pazakontë në raportin tradicionalisht të ngushtë gjermano-izraelit, por një incident me pararendës të shumtë, që kur të dyja vendet kanë vendosur marrëdhënie diplomatike në vitin 1965.
Herë pas here, politika izraelite e kolonizimit sjell kritika nga Berlini. Kjo ndodhi në shkurt, kur një ligj izraelit legalizoi mijëra banesa kolonësh në tokë palestineze.
Kritika ndaj Izraelit nuk bëhet më me zë të ulët
Ka qenë njëherë edhe Sigmar Gabrieli, i cili në vizitën e tij në vitin 2012 në Izrael – atë kohë ai ende ishte kryetar i Partisë Socialdemokrate Gjermane – i zemëroi mikpritësit, kur e krahasoi në faqen e tij në Facebook indirekt politikën izraelite në Hebron me aparteidin e Afrikës së Jugut.
Vetëm dy vjet më vonë, kandidati i tanishëm i SPD për kancelar, Martin Schulz shkaktoi konflikt në Knesset, kur si President i Parlamentit Evropian kritikoi “bojkotin” e Rripit të Gazës. Edhe marrëveshja atomike me Iranin i vuri në provë marrëdhëniet. Netanjahu ia mban mend për keq deri sot qeverisë gjermane, e cila luajti rol në arritjen e kompromisit me Iranin, dhe që atëherë e sheh në rrezik ekzistencën e Izraelit – edhe për shkak të rolit të Gjermanisë në marrëveshje.
Veçanërisht që prej marrjes së pushtetit prej Netanjahut në vitin 2009 marrëdhëniet midis dy vendeve janë bërë gjithnjë e më të vështira. Politika nacionaliste e Netanjahut nuk aprovohet, por fjalët e qarta mbeten pa efekt, sepse shumicën e herëve shprehen jo publikisht.
Por: politika e ngulimeve dhe kërcënimi për t’u larguar nga politika e zgjidhjes me dy shtete po shkaktojnë tani gjithnjë e më shumë kritika të hapura ndaj politikës së Izraelit. Ka kohë që Netanjahu shihet në Berlin si mik i huaj dhe koha e kujdesit për arsye historike duket se po merr fund.