Thaçi: Gjermania mbetet një partner strategjik i Kosovës

Prishtinë | 15 Shk 2018 | 08:51 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjermania do të vazhdojë të jetë partner në konsolidimin e subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës, në zhvillimin ekonomik dhe në perspektivën evropiane të shtetit të ri.

Kështu është zotuar ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, gjatë takimit që ka pasur me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, raporton Ekonomia Online.

Mediet kanë mundur të marrin pamje nga fillimi i takimit që është zhvilluar në mëngjes, ndërsa më pas takimi ka vazhduar me dyer të mbyllura.

Por, sipas një komunikate të Zyrës së Presidentit, gjatë takimit Thaçi e ka falënderuar ministrin Gabriel për mbështetjen që populli dhe shteti gjerman i kanë dhënë popullit të Kosovës në të gjitha periudhat.

“Gjermania është një partner strategjik i Kosovës, jo vetëm në rrafshin bilateral, por edhe në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Presidenti ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes së Berlinit në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë e miratimit të demarkacionit me Malin e Zi, e cila i hap rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Siglat Gabriel, është shprehur i lumtur për vizitën e tij në Kosovë, në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë.

Ministri gjerman ka siguruar presidentin Thaçi se Gjermania do të jetë një partner i fuqishëm në vazhdimin e konsolidimit të subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës, në zhvillimin ekonomik dhe në perspektivën evropiane të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova do të mbetet partner i besueshëm dhe do të vazhdojë t’ju qëndrojë para obligimeve ndërkombëtare që ka marrë.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, mbrëmë është takuar edhe me kreun e ekzekutivit Ramush Haradinaj.

Gabriel, pas takimit me kryeministrin, tha se Kosova duhet të përgatitet edhe për “çështjet jo të këndshme”, siç janë ato Dhomat e Specializuara, të cilat do të trajtojnë krimet e mundshme të luftës.

Ai ka porositur gjithashtu që çështja e demarkacionit me Malin e Zi të kalohet, si kriter që është vënë nga BE-ja për liberalizimin e vizave.

Të ngjashme