Jordan Peterson është një ndër psikologët më të njohur sot. Si thekson edhe vetë, ai u bë i njohur kur refuzoi ligjin që penalizon qytetarin kanadez, nëse nuk i drejtohet një personi të një kategorie transgjinore (me gjasë qenkan rreth 70!) sipas përemrit të përcaktuar për atë kategori.
Përveç përemrave gjinorë “ai” dhe “ajo” të gjinive “mashkull” dhe “femër”, ligji kanadez në emër të së drejtës për personat transgjinorë kërkon penalizim për atë që nuk respekton përemrat tjerë si “aqo”, “azo”, “ako”, etj. (Është vështirë të sqarohet në gjuhën shqipe se si potencialisht mund të përkthehen përemrat që rimojnë me “she” (ajo) dhe “he” (ai) si janë ata “zhe”, “kee”, etj.). Kjo nuk ishte vetëm për personat që ndërrojnë gjininë apo janë transgjinorë, të cilët janë në gjendje liminale, dhe shoqëria ka parasysh këtë gjendje, por edhe për personat që “ndjehen” se janë transgjinorë apo kanë “ndjenja” se janë gjysmënjerëzor-gjysmështazor, gjysmë grua-gjysmë gjarpër, etj.
Pra, ligji kanadez kishte shkuar aq larg sa Jordan Peterson filloi ta refuzojë publikisht. Si mund të ngrihej legjislacion mbi gjininë si konstrukt i ndjenjave, legjislacion ky që mund të dërgonte “ofenduesin” në burg nëse nuk e dinte përemrin gjinor për atë lloj grupi që kishte ndjenja të caktuara? Por, çfarë nëse kjo lloj “kategorie gjinore” ndërrohet me ndërrimin e ndjenjave? Ku mbetej liria e fjalës? Këto pyetje e kishin tunduar Petersonin.
Kështu ai bëri një video-ligjëratë kundër ligjit përkatës që shkelte lirinë e fjalës dhe e vendosi në Youtube dhe fjala mori dhenë. Peterson-i u shndërrua në fenomen të ri të ligjërimit publik. Ndonëse ai njihej paraprakisht për incizimin e ligjëratave të tij mbi personalitetin në Universitetin e Torontos, kjo qe diçka krejtësisht e re. Thënë në jehonën e fjalës popullore shqipe, “ra ai ligj e Peterson-i u bë ikonë globale”.
Brenda një viti e ca Peterson-i u ftua në të gjitha televizionet publike, në universitete e institucione akademike dhe mori pjesë në qindra debate për ligjin, për diferencën gjinore, për të majtën radikale, për personalitetin, e kështu me radhë. Një ndër debatet e tij më të famshme ishte me Cathy Newman, nga Kanali 4 në Britani, me të cilën pati një debat mjaft intensiv, nga i cili Peterson u pa si një triumfues i “commonsense-it” mbi parullat e drejtësisë sociale të propaganuara nga Newman, pikërisht për idenë e barazisë gjinore në paga mes grave me burrave. Thënia e Peterson-it “T’nxuna!” (ang: “I gotcha!”) është bërë tashmë hit në mesin e ndjekësve të tij.
Kur fillon të dëgjosh debatet e Jordan Peterson-it, mendja shkon te stereotipi se “doli edhe një komentues tjetër populist”. Por, Peterson është mbi të gjitha një studiues i zellshëm, një profesor i zoti dhe inspirues, një psikolog mjaft rigoroz. Ai ka shkruar një mori esesh shkencore të bazuara në studime fort rigoroze psikologjike, disa vetëm dhe disa së bashku me kolegë, një libër fundamental hermeneutik psikologjik të njohur si “Hartat e domethënieve” (Maps of Meaning), ka dhënë mësim në Universitetin e Harvard-i dhe ka bërë mbi 10 mijë orë punë në fushën e psikologjisë klinike duke trajtuar një numër shumë të madh të pacientëve.
Peterson është ndër ata që konsiderohet si specia e studiuesve më rigorozë në fushën e shkencave shoqërore dhe nga shkrimet e tij vërehet se ka njohuri të thella për shkencat biologjike, shkencat shoqërore, dijet humane, letërsinë e artet tjera. Proza e tij është e argumentuar, e saktë si sintaksë dhe fort specifike si hulumtim, gjithnjë e bazuar në evidenca, të tija ose të tjerëve, dhe në metafora apo analogji, kur e do puna.
Në fillim të vitit 2018, në vlug të famës së tij të re, u botua libri i tij i dytë “12 rregulla për jetën: një antidotë për kaosin” [12 Rules for Life: An Antidote to Chaos]. Titulli huton lexuesin e rryer sepse është titull i psikologëve populistë, atyre që mendojnë se mund ta shpëtojnë botën me ligjërimet e këshillat e tyre, apo i ndonjë trajnuesi të rremë të moralitetit. Madje nëse shihet vetëm titulli, duket sikur është kompilim i ndonjë webfaqeje sociale, që shet këshilla në formë të kompilimit. Ose ajo që mund të pëshpërit në vete lexuesi është: “ja edhe një libër me rregulla që nuk punojnë – a nuk u lodhëm me to!”
Por, kur e lexon librin “12 rregulla për jetën” e vëren se ky është një libër i një natyre krejtësisht tjetër. Në fakt, Peterson jep evidencë mbi parime të një commonsense-i që duhet ndjekur për të mbijetuar në jetën e sotme dinamike, si thuhet te ne. Le t’i përmendim këto rregulla. Rregulla e parë thotë: rri drejt dhe mbajt shpatullat drejt e nxirre gjoksin përpara. Peterson flet këtu për gaforret, por tregon se ideja e triumfit dhe fitores janë të njëjta pothuajse te të gjitha shtazët: fituesi ngre shpatullat prapa dhe nxjerr gjoksin para.
Dominuesin e do secili. Andaj, vepro gjithmonë si fitues sepse “pjesa e lashtë e trurit tënd që është e specializuar për dominancë të monitoron se si trajtohesh nga të tjerët”, thotë Peterson. Pra, si këshillë, kjo rregull synon të jap konfidencë kundër bulizmit dhe trajtimit negativ. “Të qëndrosh drejt me shpatulla prapa e gjoks para është të pranosh përgjegjësinë e tmerrshme të jetës, me sy çelë”, përfundon kapitullin mbi këtë rregull Peterson-i, duke dhënë një mori rastesh nga jeta sociale dhe ajo biologjike për bazën biologjike të idesë së dominancës dhe kompetencës, por jo asaj që shndërrohet në dhunë.
Pastaj, pasojnë rregullat tjera: “Trajtoje veten sikur të jetë dikush që ke përgjegjësi ta ndihmosh”, “Shoqërohu me shokë që duan më të mirën për ty”, “Krahasoje veten me kë ke qenë dje, jo me atë që është dikush tjetër sot”, “Mos i lejo fëmijët tuaj të bëjnë diçka që nuk të pëlqen”, “Rregulloje shtëpinë tënde shumë mirë, para se ta kritikosh botën”, “Ndiqe atë që ka kuptim, jo atë që është kaluese”, “Tregoje të vërtetën, ose së paku mos gënje”, “ Paramendo se personi që e dëgjon din diçka që t’i nuk e din”, “Ji preciz në të folur”, “Mos i nguc fëmijët kur janë duke luajtur me trotineta”, “ Lëmojë një mace nëse e sheh në rrugë”. Në kreun e rregullës së njëmbëdhjetë, “Mos i nguc fëmijët kur janë duke luajtur me trotineta”, Peterson përfundon duke thënë kështu:
“Nëse janë të shëndetshme, gratë nuk duan çuna. Ato duan burra. Ato duan dikë me të cilin konkurrojnë, dikë me të cilin rroken. Nëse janë të zonja, ato duan dikë më të zoti se ato. Nëse janë të mençura, duan dikë më të mençur. Ato duan dikë që sjellë në tavolinë diçka që ato nuk mund ta sjellin. Shpesh kjo e bën goxha të vështirë gjendjen e grave të zonja, atraktive dhe të mençura që të gjejnë partner për ta: thjesht s’ka aq burra për ta që ua kalojnë atyre për t’i konsideruar të dëshirueshëm (të cilët janë, si thotë një hulumtim, në “të ardhura, edukim, konfidencë, intelligjencë, dominancë dhe pozitë shoqërore”).
Kjo ide nuk i shkon shtati komandantëve (të karrigeve) të barazisë gjinore, sepse këta komandantë konsiderojnë se djemtë duhet të mësohen të sillen në mënyrë krejtësisht uniforme, sikurse edhe vajzat, në mënyrë që të eliminojnë secilën ndjenjë dominance që çon në riprodhimin e partriarkatit. Por, ndonëse Peterson nuk thërret për dominancë të dhunshme, të cilën në fakt e zhvlerëson edhe nga pikëpamja e psikologjisë evolucioniste, ai thekson idenë e dominancës si “copë e ADN-së sonë” që nga koha kur ishim pa u ndarë në rritën evolutive nga gaforret, para 350 milion vitesh. Pra, ideja e lojës dominuese në kontekst të gjinisë (në anglisht “sex”, sepse “gender” konsiderohet si gjinia e konstruktuar nga ana sociale, term ky i tejinterpretuar nga feministët) është “vulë e pashlyeshme”, thënë në gjuhë darviniane, në qenien tonë. Andaj, edhe tendenca për ta uniformizuar sjelljen dhe për ta shndërruar në sjellje agjinore, përmes inxhinieringut social në jetën politike e shoqërore, mund të shkaktojë pasoja edhe më të mëdha. Peterson-i fton lexuesin e tij që të mos ndërhyjë në lojën e fëmijës si “xhaxhi inxhinier i lojës” për të konstruktuar utopi: fëmijët luajnë sipas sistemit të tyre aksiomatik etik dhe ka nevojë për shumë pak ndërhyrje në raste specifike. Sepse ata fëmijë bëhen burra e gra, dhe nëse ndërhyhet për të konstruktuar tërësisht në sjelljen e tyre, ata burra e ato gra do të jenë jokompetentë dhe askush nuk do t’i dojë, ose do t’i dojë për të gjuajtur baltë mbi ta. Loja mëson fëmijët më mirë se çdo gjë tjetër.
Peterson-i thekson nevojën për lojë, për aventurë sociale, për pak konflikt social, që ndonëse duket i padobishëm, është esenca e rritjes së burrave dhe grave, në individ që garojnë, që ruajnë tjetrin edhe kur e sulmojnë, që krijojnë aventurë sociale dhe prishin rendet utopike të projektuara nga idetë e inxhinieringut social. Kështu, gjithë libri përshkohet nga një frymë reale e etikës njerëzore që del nga kompetenca, përgjegjësia, dominanca, gara dhe loja.
Nga shkrimi vërehet se Peterson-i ka lexuar literaturën ideologjike, kryesisht atë marksiste dhe gjuhën totalitare të Bashkimit Sovjetik, dhe po ashtu ka lexuar edhe myhypët e rinj të ideologjisë marksiste të fshehur në katedra universitare, sikurse postmodernistët dhe feministët të cilët i fajëson për degradimin e maturisë universitare në Perëndim. Andaj, në shumë prej faqeve të këtij libri por edhe në ligjërata të tij, Peterson-i shthur gjuhën e tyre ideologjike, fytshtrënguese për lirinë e individit dhe dekonspiron, në mënyrën e tij, gjithë argumentin e tyre fatal për shkatërrimin e lirisë individuale dhe forcimin e identitetit grupor të bazuar në ndjenja solidare dhe të argumentuar si shkencë e filozofi, duke qenë përrallisje e jo shkencë e filozofi.
Ky është ndër librat e pakët që shkruhet nga një psikolog fuqitar për masat e gjera dhe si i tillë ia vlen të lexohet edhe nga studiuesit, specialistët e fushës apo fushës së shkencave sociale e dijeve humane. Thjesht: Peterson ngjesh brumin e tij fort mirë dhe prej tij nxjerr një argument mjaft solid për sjelljen e sotme në balonën e madhe të korrektësisë politike, e cila, sipas tij po gërryen themelet e vlerave të shoqërisë liberale demokratike. Edhe nëse njeriu nuk pajtohet me gjithçka që shkruan Peterson në këtë libër, ajo që nuk mund të mohohet është kapaciteti i tij i pashoq për të argumentuar rrafshët dhe shtruar, thjesht dhe qartë.
Libri vjen si reflektim personal, i stërmbushur me evidenca empirike, rreth gjendjes së sjelljes sonë shoqërore sot. Pa dyshim se libri mund të lexohet nga secili që njeh gjuhën angleze, sepse proza është e rrjedhshme dhe e pangarkuar me zhargon shkencor apo konceptual.
Në kohën kur në secilin rast njeriu akuzohet se po ofendon dikë, apo grupin e dikujt, Jordan Peterson, thekson se “nuk mund të mendosh seriozisht, nëse nuk rrezikon ta ofendosh dikë”. Megjithatë, Peterson është fort i kujdesshëm në atë se çfarë flet e shkruan dhe “ofendimi” i tij më i mirë është kureshtja për të gjetur mënyrën e drejtë dhe të përgjegjshme drejt së vërtetës, të cilën nuk e definon sipas shkencorizmit mekanik, por e mishëron me “domethënie” të dalë nga interpretimi rigoroz.
(Autori, Arsim Canolli, është profesor në Universitetin e Prishtinës, departamenti i Antropologjisë)