Gani Krasniqi: Për të ardhur keq padrejtësia që po bëhet në emër të UÇK-së dhe drejtuesve të saj

Prishtinë | 24 Qer 2020 | 18:41 | Nga Ekonomia Online

Ish-komandanti i UÇK-së Gani Krasniqi ka thënë se është e padrejtë që drejtuesit e UÇK-së po përballen me aktakuza nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Një gjë e di, UÇK-ja e drejtuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ku drejtuesi kryesor i Drejtorisë Politike ishte Hashim Thaçi dhe anëtar i shtabit Kadri Veseli ishte ushtri çlirimtare”.

“Natyrisht që është për të ardhur keq, më shumë se keq, që edhe pas 20 vjetëve kjo padrejtësi që bëhet në emër të UÇK-së dhe drejtuesve të saj. Gjithsesi që çdo shqiptar nuk do ta ndjejë veten mirë – ashtu edhe unë jam njëri nga shqiptarët dhe drejtuesit e luftës që nuk po e ndjej veten mirë”.

Krasniqi që është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje në Specialen e Klan Kosovës ka thënë se kur flet për aktakuzat ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së flet si bashkëluftëtar i tyre.

“Unë i përkas Lëvizjes Vetëvendosje dhe jam pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Nëse flas si Lëvizje Vetëvendosje unë kam mendim tjetër për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin pas luftës, si drejtues të institucioneve”.

“Natyrisht që tash nuk flas si Vetëvendosje, por si bashkëluftëtar i tyre. Flas për atë që vërtet ishte projekti më i madh në hapësirat e pushtuara shqiptare. Gjithsesi unë nuk e përjetoj mirë, besoj që nuk e përjeton mirë as populli shqiptar, ngase ata po thirren si drejtues të UÇK-së”.

Të ngjashme