Ganimete Musliu: AKI-ja s’duhej të përfshihej, Ramadanit i ka ardhur ftesa për kohën e adoleshencës, jo për punën e tij si inspektor

Prishtinë | 24 Maj 2022 | 22:16 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, deputetja Ganimete Musliu, ka reaguar pas njoftimit zyrtar që ka lëshuar institucioni më i lartë i sigurisë për një ftesë që i ka ardhur Burim Ramadanit nga Gjykata Speciale për raste që nuk ndërlidhen asgjë më institucionin, por me vitet 1998-2000, kur ai ende nuk i kishte mbushur as 20 vjet.

Musliu ka thënë se shfrytëzimi i AKI-së nga Ramadani për të tërhequr vëmendje publike në emër të saj e dëmton më së shumti vetë institucionin, ku me përkushtim dhe integritet të lartë shërbejnë shumë vajza dhe djem që e duan Kosovën pa politikë, pa hile dhe pa rezerva, përcjell Demokracia.com.

Si Kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, deputetja Ganimete Musliu ka njoftuar se do të kërkoj zyrtarisht përgjegjësi për rrëshqitjen e AKI-së në këtë rast.

“Agjencia e Kosovës për Inteligjencë nuk u tregua aspak inteligjente lidhur me ftesën e Gjykatës Speciale që i ka ardhur Burim Ramadanit për kohën e tij të adoleshencës dhe jo për punën e tij si Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së.

Ky institucion që fshehtësinë e ka punë të përditshme, çuditërisht lëshoi edhe komunikatë zyrtare lidhur me një ftesë për Ramadanin, rast që siç njoftoi nuk ndërlidhet asgjë me institucionin.

Shfrytëzimi i AKI-së nga Ramadani për të tërhequr vëmendje publike në emër të saj e dëmton më së shumti vetë këtë institucion, ku me përkushtim dhe integritet të lartë shërbejnë shumë vajza dhe djem që e duan Kosovën pa politikë, pa hile dhe pa rezerva.

Si Kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së do të kërkoj zyrtarisht përgjegjësi për rrëshqitjen e këtij institucioni në këtë rast, ku nga Ramadani thjesht është kërkuar “të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës se luftës dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000”.

AKI-ja nuk është në shërbim të individëve, por në shërbim të shtetit dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, ka shkruar deputetja Ganimete Musliu. 

Të ngjashme