Instituti GAP dhe Kosovo 2.0 organizuan sot diskutim virtual ku u prezantua raporti i Institutit GAP “Strategjia kombëtare për zhvillim: arritjet, ngecjet dhe pritjet për të ardhmen”.
Në fjalën hyrëse, Jeton Mehmeti, Drejtor i Hulumtimeve në Institutin GAP, theksoi se në shtator të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka filluar punën në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030 përmes së cilës synon të vë objektiva afatgjata rreth sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, social dhe mjedisor. Mirëpo, meqë Kosova kishte hartuar një strategji të tillë në vitin 2016 dhe e cila ende është në fuqi, mbetet e rëndësishme të analizohet se cilat janë rezultatet e arritura deri më tani në mënyrë që objektivat e strategjisë së re të jenë sa më reale.
Blendi Hasaj, Hulumtues i Lartë në Institutin GAP, prezantoi të gjeturat e raportit duke theksuar se raporti është kufizuar në vlerësimin e performancës së 12 treguesve kryesorë makroekonomikë të strategjisë, dhe se nga ky monitorim vërehet se arritjet janë të pakta duke pëfshirë këtu ngecjen për shkallë më të lartë të rritjes ekonomike, punësimit, përmirësimin e bilancit tregtar dhe rritjen e investimeve të huaja direkte. Si rezultat, arritja e shumicës së objektivave gjatë vitit 2021, edhe sikur të mos ndodhte pandemia COVID-19 gjatë vitit 2020, do të ishte thuajse e pamundur.
Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, theksoi se ngecjet në zbatimin e strategjisë së kaluar janë më se evidente, sidomos tek monitorimi i mirëfilltë i progresit dhe matjes së indikatorëve të SZHK-së. Ajo gjitashtu përmendi nevojën për përfshirjen e masave në kuadër të SKZH-së që adresojnë humbjet që kemi pësuar në ekonomi nga pandemia COVID -19.
Mikaela Gronqvist, Udhëheqëse e ekipës nga Zyra e BE-së në Kosovë, përmendi rëndësinë e diskutimit të gjërë në lidhje më SKZH 2030 , ku përvec ministrive të linjës duhet të angazhohen edhe shoqëria civile dhe qytetarët e Kosovës. Ndër të tjera, ajo theksoi edhe disa nga problemet e identifikuara gjatë zbatimit të SKZH 2016 – 2021, sikurse mungesa e llogaridhënies dhe alokimet jo të duhura buxhetore.
Vedat Sagonjeva, Drejtor i Zyrës për Planifikim Stratëgjik në Zyrën e Kryeministrit, theksoi se të gjeturat e raportit do të merren parasysh gjatë procesit të hartimit të strategjisë së re. Ai po ashtu theksoi se disa nga ngecjet në zbatimin e masave të strategjisë ishin si rezultat i mos mbështetjes buxhetore si dhe jostabiliteti politik në vend.
Në këtë diskutim kontribuan edhe pjesmarrës të tjerë nga shoqëria civile, përfaqësues të ambasadave dhe organizatave të huaja në Kosovë.
Raportin e plotë mund ta gjeni të bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar Këtu.