Sipas këtij instituti, kërkesa e Kryeministrit Mustafa për Ministrinë e Financave që me rastin e rishikimit të buxhetit 2017 të shikohet mundësia e rritjes së pagave për shërbyesit civil, punonjësit e arsimit dhe ata të shëndetësisë, bie ndesh me programet qeveritare dhe me zotimet e Qeverisë së Kosovës të dhëna me Planin Nacional për Reforma në Ekonomi 2017.
“Pikërisht për të evituar rritjen uniforme të pagave, ashtu siç ka ndodhur më 2011 dhe më 2014, në vitin 2015, Qeveria e Kosovës ka ndryshuar dhe plotësuar Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, në të cilin parashihet se që nga viti 2018, rritja e pagave në sektorin publik duhet të reflektojë rritjen e gjithëmbarshme ekonomike. Andaj, paralajmërimi i qeverisë për rritjen e pagave që nga pjesa e dytë e 2017 është hap i gabuar dhe i shtyrë nga presioni i sindikatave në sektorin publik dhe për faktin se 2017 është vit zgjedhor”, deklaron Instituti GAP përmes një komunikate për media.
Krahasuar me rishikimin e buxhetit për vitin 2016, GAP thotë se kategoria e pagave me buxhetin e planifikuar për vitin 2017 është rritur për 4.2%.
“Kjo rritje është në përputhje me rregullën financiare e cila do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm mirëpo rritja e mëtutjeshme e pagave tejkalon normën e rritjes vjetore nominale të Bruto Produktit Vendor (BPV)”, thekson Instituti GAP.
Sipas GAP-it, në Programin e Kosovës për Reforma në Ekonomi më 2016 dhe 2017, Qeveria e Kosovës është mburrur duke deklaruar se ka arritur që në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë të fus rregullën e cila ndërlidh rritjen e pagave me rritjen e Bruto Produktit Vendor (BPV) nominal.
Në këtë dokument, të dalur si kërkesë e Komisionit Evropian për të gjitha vendet kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Qeveria e Kosovës e njeh gabimin e rritjes së pagave për 25% më 2014, vendim i cili ka krijuar një hendek të madh në mes të pagave në sektorin publik dhe atij privat. Në tremujorin e fundit të 2016, paga mesatare në sektorin publik ka shkuar deri në 554 euro, kurse ajo në sektorin privat ka mbetur në 416 euro.