Gara zgjedhore, programet dhe strategjitë e partive kryesore

Prishtinë | 17 Jan 2025 | 19:43 | Nga Shenoll Muharremi

Pak a shumë, u prezantuan programet dhe fushata. Ditët dhe javët në vijim do të jenë përsëritje dhe reagime spontane. Çfarë kemi mësuar deri tani?1.

Partia në pushtet vazhdon të ketë përkrahje të theksuar, por jo edhe frymë. Ende nuk kanë prezantuar program, por kanë filluar të listojnë disa propozime dhe oferta që përbëjnë themelin e programit të tyre. Një risi që është dëgjuar është se “Do të alokohen 1 miliardë euro për bizneset e prodhimit”.

Këtë e mirëpres jashtëzakonisht shumë dhe e shoh si ndryshimin kryesor në diskursin qeverisës të LVV-së dhe Kurtit. Gjuha e përdorur ka qenë negative, ndërsa sjelljet elektorale kanë qenë sikur të ishin të opozitës dhe jo të një partie në pushtet.

2. Partia Demokratike e Kosovës ka pasur një ndër programet më atraktive gjatë fushatës. Sigurisht që reforma fiskale dhe stimujt për biznese dhe investime janë mirëpritur dhe janë tepër të nevojshme për ekonominë e Kosovës. Gjithashtu, është shpalosur se do të ketë rritje të theksuar të pagave publike, skemave sociale dhe pensioneve. Po ashtu, ka një program të rëndësishëm për infrastrukturën. Me siguri, një nga ofertat më joshëse si program, por sfida kryesore mbetet mënyra e financimit. Ulja e taksave shkakton ulje të buxhetit, ndërsa rritja e pagave publike dhe skemave sociale rrit nevojën për fonde shtesë. Kjo duhet të qartësohet në mënyrë që programi dhe oferta të jenë kredibile. Stili i fushatës ka qenë pozitiv, duke u fokusuar në mobilizimin e elektoratit përmes takimeve intensive.

3. Lidhja Demokratike e Kosovës ka punuar më gjatë në programin e saj “Rruga e Re”. Ata janë përgatitur më së shumti për këtë fushatë, të cilën e kanë filluar mirë. Ngjashëm me programin e PDK-së, LDK ka një fokus në ekonomi, veçanërisht në investimet publike.

Për dallim nga PDK, LDK ka një program dhe plane agresive të investimeve në infrastrukturë. Së fundmi, kanë prezantuar edhe projektet e tyre për Prishtinën me vlerë afër 1.5 miliardë euro. Ambicia e tyre ekonomike mbetet modeste; ata kanë parashikuar një rritje ekonomike në suaza normale, rreth 5%, dhe shpenzime kapitale rreth 5 miliardë euro.

Gjithashtu, është paraparë një plan për rritjen e pagave publike me një efekt të theksuar. LDK, në këtë aspekt, duket se nuk ka tejkaluar kufijtë e resurseve në dispozicion për zbatimin e programit të saj. Gjuha dhe stili elektoral kanë qenë pozitivë, pa polarizim, dhe të fokusuar në prezantimin e programit dhe projekteve të tyre.

Kështu duket se tri partitë kryesore kanë shpalosur dhe prezantuar planet dhe stilet e tyre të fushatës. Nuk priten shumë befasi nga aspekti programor dhe qeverisës ditët dhe javët e mbetura.

Përderisa LVV, si pushtet, mbetet konservative me ndryshime modeste, kryesisht programin 1 miliardësh për prodhimin vendor, dy partitë opozitare janë më ambicioze dhe me programe më të elaboruara.

Gjithashtu, ndërsa partia në pushtet ka ndjekur një strategji polarizuese, partitë opozitare po vazhdojnë me maturi dhe një gjuhë e stil pozitiv. Si do të përkthehen këto strategji dhe programe në vota? Mbetet të kuptojmë së shpejti nëse basetet e partive do të jenë të suksesshme.

Të ngjashme