Tomë Gashi, avokati i deputetit Frashër Krasniqi, i cili u dënua sot me 8 vjet burgim për sulmin me zollë ndaj Kuvendit të Kosovës, e ka quajtur politik vendimin.
Ai tha se vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës për të dënuar me 21 vjet e 6 muaj burg katër aktivistë e Lëvizjes Vetëvendosje është bërë për ta mbuluar vrasjen e Astrit Deharit, dhe sepse jemi dy ditë para zgjedhjeve komunale.
“Kjo gjykatë për arsye politike ka vendosur t’i shpallë të fajshëm aktivistët. Kjo u bë për dy arsye: për ta mbuluar vrasjen e Astrit Deharit dhe sepse jemi dy dite para zgjedhjeve komunale”.
Ai ka deklaruar se do të ankohet në Gjykatën e Apelit për këtë vendim, sipas tij, krejt të padrejtë dhe politik.
“Është non-sens juridik se si ky trup gjykues nuk i beson ekspertizave të veta. Kemi të bëjmë me një rast krejtësisht politik. Kjo është një masakër juridike”.
“Është obligim i jonë që të bëjmë ankesë dhe kjo çështje politike mund të rregullohet me trysni politike. Janë shpallur fajtorë pa asnjë provë”, u shpreh Gashi, për gazetarët.