Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka vizituar Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bodgani”.
Pas inspektimit të objekti Gashi tha se objekti i këtij institucioni është në gjendje të keqe, prandaj edhe intervenimi në sanimin e problemeve në ruajtjen e ekzemplarëve duhet bërë menjëherë, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, për këtë gjendje janë përgjegjës ish-ministrat. Gashi tha se në qershor do të bëjnë një plan konkret se si duhet të zgjidhet ky problem sipas tij, shumë i kushtueshëm, por që dimrin që vjen në këtë institucion nuk do të kenë më probleme me kanalizim e lagështi.
“Kjo vizitë është në vazhdën e vizitave për shkak të problemeve të ujit. Ne biseduam me e menaxhmentin për intervenimet që do ti bëjmë gjatë vitit 2018. Ky objekt nuk ka as kanalizim e nuk ka as mbrojtje nga lagështia. Ne po punojmë në rishikimin e buxhetit dhe jemi duke shikuar për të investuar në ruajtjen e të gjithë atyre ekzemplarëve”.
“Ne jemi të përkushtuar si ministri që në Bibliotekën Kombëtarë të investojmë. Po e shihni që kemi trashëguar probleme të mëdha, jemi të interesuar të intervenojmë dhe të investojmë shpejt”.
“Nga ajo që pamë shihet që është intervenim i kushtueshëm dhe kemi të bëjmë me dy kate nën tokë, do të bëjmë një projekt të përbashkët. Në qershor do të bëjmë planin konkret dhe dimri i ardhshëm do ta gjej të rregulluar. Këto janë probleme nga mos intervenimi i ministrave të kaluar. Do të fokusohemi në intervenime urgjente siç është teatri dhe Biblioteka. Do të shikojmë sa mjete kemi në dispozicion”.
Fazli Gajraku drejtor i Bibliotekës Kombëtare tha se është nevojë urgjentë rregullimi i hapësirave në mënyrë që të mos dëmtohen ekzemplarët.
“Mendoj që është lajmi më i mire që i jepet kulturës për intervenimi. Biblioteka i ka dy projekte që duhet të realizoj. Projekti i parë ka të bëjë me rregullimin e ngrohjes, problemit te kanalizimit dhe çështje tjera teknike ndërkaq Projekti i dytë është projekti i rinovimit të bibliotekës”.
“Një institucion me kredibilitet të madh ka marr Bibliotekën Kombëtare për të hyrë në konservim si projekt i rëndësishëm. Çdo kompani që do të vjen do të ketë dy projekte që nuk do ta lënë me gabuar në asnjë rast në intervenimin për bibliotekën”, tha ai.