Krijimi i vendeve të reja të punës dhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë, listohen si dy prioritetet më të rëndësishme në aspektin ekonomik për vitin 2020.
Por sipas ekspertëve të ekonomisë “bllokada politike, do të shkaktojë probleme në ekonominë vendëse”.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Naim Gashi në një prononcim për Ekonomia Online, vlerëson se bllokada politike po shkakton probleme në ekonominë vendëse dhe rrezikon buxhetin e Kosovës.
“Unë mendoj që vonesat që po krijohen për krijimin e institucioneve të Kosovës po rrezikojnë buxhetin e Kosovës, stabilitetin financiar mirëpo edhe realizimin e projekteve publike. Sipas ligjit në fuqi në muajin janar shfrytëzohet 1/12 e buxhetit të vitit të kaluar mirëpo ajo çka është më e keqja se pa një buxhet të miratuar nuk mund të zbatohet asnjë projekt kapital i planifikuar për këtë vit. Deri me 1 mars të këtij viti sipas legjislacionit në fuqi ekziston mundësia e shfrytëzimi të 1/12-ës mirëpo pa një vendim të parlamentit të Kosovës pas 1 marsi të këtij viti do të ketë një bllokadë totale të shtetit dhe të aparatit shtetëror”, thotë ai.
Sipas tij projektet kapitale po vonohen në Kosovë, mirëpo vonesat e miratimit të buxhetit mund të ndikojnë negativisht dhe Kosova mund të rrezikohet nga një buxhet suficit.
Ai thotë që investimet kapitale kërkojnë një parapërgatitje paraprake.
“Edhe ashtu projektet kapitale vonojnë shumë në Kosovë, mirëpo që vonesat në miratimin e buxhetit do të ndikojnë negativisht dhe në fund të vitit rrezikohemi që të kemi një suficit të buxhetit të Kosovës për faktin se projektet kapitale kërkojnë një para përgatitje paraprake dhe shpalljen e procedurave tenderuese, ankimimet që shkojnë nëpër institucionet relevante dhe gjitha këto marrin kohë dhe në këtë mënyrë ne edhe ashtu do të kemi vonesa më të mëdha në realizimin e projekteve kapitale dhe kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë në ecurinë makroekonomike në Kosovë për faktin se pjesa dërmuese e të hyrave në buxhetin e Kosovës vjen nga sektori publik të cilat i bëjnë institucionet qendrore dhe ato lokale”, thotë ai.
Gashi theksoi se buxheti i Kosovës nuk varet as nga qeveria e re dhe as nga qeveria e vjetër, por buxheti përcaktohet nga të hyrat që vijnë nga Dogana dhe Administrate Tatimore e Kosovës.
“Buxheti i Kosovës nuk varet nga qeveria e re ose e vjetër por kryesisht këta parametra makrofinanciar përcaktohen nga të hyrat që vinë nga dogana dhe administrata tatimore e Kosovës dhe me sa kam parë një draft nuk ka kaluar në qeveri që ka qenë se buxheti i këtij viti do të jetë diku rreth 2.4 miliardë euro dhe nuk pres që do të ketë ndonjë ndryshim edhe nga qeveria e re për faktin se ne mund ta ndërrojmë vijat buxhetore brenda buxhetit, qeveria e re dhe parlamenti i ri mirëpo kohë shumë e madhe që të ndikohet në rritjen e të hyrave dhe ato vijnë kryesisht nga luftimi i eavazionit fiskal , nga zgjerimi i bazës tatimore por fatkeqësia më e madhe është që të hyrat nga buxheti vijnë nga të ardhurat e doganave dhe jo nga taksat e brendshme dhe kjo tregon që komplet ekonomia e Kosovës është e varur nga importi i cili është mbi 3 miliardë euro dhe paraja kesh në Kosovës përmes importit po shkon jashtë vendit dhe po ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik dhe GDP-në në Kosovë”.
“Unë mendoj që qeveria e re duhet të ndërrojë mënyrë e shpenzimit të buxhetit për arsye se deri më tani 80% e buxhetit është shpenzuar në paga dhe skema sociale dhe asfalt, ndërsa 20% është përdorur për zhvillim ekonomik, shtoi Gashi, raporton EO.
Ai thotë se duhet të krijohet një balancë që investimet kapitale të arrijnë në 50%, mirëpo sipas tij ky balance është prishur me krijimin e skemave sociale.
“Aktualisht mendoj që duhet të krijohet në balancë dhe kjo krijohet nga sugjerimet partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët vazhdimisht insistojnë që investimet kapitale të mbërrijnë 50% të buxhetit dhe ne jemi shumë larg dhe ky balancë është prishur shumë me krijimin e skemave sociale kohëve të fundit të cilat e kanë prish këtë disproporcion ndërmjet mallrave shpenzimeve dhe mëditjeve dhe investimeve kapitale në anën tjetër”, përfundon ai.
Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën më 6 tetor 2019 dhe ende nuk është formuar qeveria e re, e cila do të bënte të mundur procedimin e buxhetit në Kuvendin e Kosovës për miratim.