Gashi dhe Veseli takojnë organizatat rinore, premtojnë perspektivë për të rinjtë

Prishtinë | 24 Gus 2019 | 13:35 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, së bashku me kryetarin e Kuvendit,
Kadri Veseli, kanë takuar sot dhjetëra të rinj që përfaqësojnë organizatat më të mëdha rinore të Kosovës, për të diskutuar për mbështetjen e tyre nëpërmjet Fondit të Rinisë.

Ministri Gashi tha para të rinjve se falë mbështetjes së kryetarit Kadri Veseli, ka arritur që brenda dy viteve ta ndryshojë Ligjin për Rininë, ta formojë fondin prej 1.2 milion euro për të rinjtë si dhe ta rregullojë bazën rregullative që të rinjve që bëjnë punë vullnetare nëpër organizata e institucione, ajo pjesë t’iu njihet si përvojë e punës.

“Ne kemi një kryetar, për të cilin vërtet ndihem shumë krenar, veçanërisht me mbështetjen e madhe që më ka dhënë në fushën e rinisë. Pa kryetarin Veseli nuk do ta kishim Fondin Rinor, nuk do ta kishim Ligjin e ri për Rininë, nuk do ta kishim Databazën për Punën e Vullnetarit dhe nuk do ta njihnim punën e vullnetarëve në terren dhe nuk do ta kishim këtë përkrahje dhe këtë fuqi”, tha Gashi.

Të rinjtë e pyetën Veselin, i cili është kandidat për kryeministër të vendit, se a do të emërojë në të ardhmen ministra të tjerët të rinj, sikur që është ministri aktual i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Më pyete Resul se a do të ketë më shumë ministra të rinj në Qeverinë time. Ka me pasë më shumë ministra si Kujtimi dhe nuk do të ketë asnjë ministër që është i korruptuar dhe që është me aktakuzë; po jua jap fjalën. Të mendojmë bashkërisht të ecim përpara, me ndershmëri, me vizion, me vendosshmëri. Po kërkoj nga ju besoni në shtetin tonë shumë, mos lejoni të krijohet mjegullim në shtetin tonë. Shteti i Kosovës është shtet shqiptar dhe i gjithë qytetarëve që jetojnë këtu, por 92-93 për qind janë shqiptarë. Ta forcojmë këtë shtet, ta forcojmë identitetin, t’i forcojmë simbolet, ta luftojmë korrupsionin, ta luftojmë nepotizmin që po e na zë frymën, sepse për atë arsye po na ikin të rinjtë. T’u japim perspektivë të rinjve. Pra unë do ta bëjë këtë, do të ballafaqohem me çdo sfidë kushdo qoftë”, tha Veseli.

Të rinjtë thanë se me formimin e fondit rinor kanë përfituar shumë projekte përmes të cilave kanë arritur të hapin biznese të vogla dhe të realizojnë idetë e tyre të ndryshme për të rinjtë e tjerë.

Të ngjashme