Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka bërë hapjen zyrtare të Zyrës për programin “Evropa Kreative Kosovë” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se Evropa Kreative do tu mundësoj artistëve dhe profesionistëve të kulturës, si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve, të punojnë së bashku që të i bëjnë veprat e tyre krijuese të disponueshme për miliona qytetarë.
“Evropa Kreative do t’u mundësojë mijëra artistëve dhe profesionistëve të kulturës, si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve, të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese të disponueshme për miliona qytetarë. Në këtë kuadër organizatat kosovare do të kenë mundësi të aplikojnë për grante për projekte shumëvjeçare bashkëpunimi, për përkthime librash, për ngritje rrjetesh kulturore apo krijimin e platformave kulturore shumëkombëshe”, tha ai.
Gashi tha se përmes kësaj audiencat në Kosovë do të përfitojnë nga shtimi i diversitetit kulturor.
“Në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Kulturës, institucion ky që ka mandat zhvillimin e politikave dhe implementimin e legjislacionit për zhvillimin dhe promovimin e aktiviteteve kulturore, kam nderin dhe kënaqësinë të jem pjesë e kësaj ngjarjeje të një rëndësie të veçantë për faktin që Kosova do të përfitojë tashmë nga Programi i Bashkimit Evropian “Evropa Kreative” dhe sektorët e saj kulturor dhe krijues do të forcohen, ndërsa audiencat në Kosovë dhe përtej do të përfitojnë nga shtimi i diversitetit kulturor”, tha Gashi.
Ministri Gashi tha se pjesëmarrja në programin e Evropës Kreative do të ketë gjithashtu një ndikim të veçantë në bashkëpunimin që ka për qëllim rritjen e inovacionit, mobilitetin ndër-vendor dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.
“Pjesëmarrja në programin e Evropës Kreative do të kontribuojë njëkohësisht në forcimin e kapaciteteve në sektorin kulturor dhe krijues duke promovuar lëvizjen e veprave dhe platformave kulturore dhe duke përmirësuar aksesin në veprat kulturore dhe krijuese evropiane dhe në forcimin e inovacionit dhe krijimtarisë në fushën e kulturës. Do të ketë gjithashtu një ndikim të veçantë në bashkëpunimin që ka për qëllim rritjen e inovacionit, mobilitetin ndër-vendor dhe shkëmbimin e praktikave më të mira”, tha Gashi, raporton EO.
Përmes kësaj marrveshjes, sipas Gashit synohet integrimi i Kosovës në rrjetet evropiane të komunikimit dhe kulturës.
“Kjo marrëveshja e arritur me Komisionin Evropian sikurse dhe nismat tjera në proces synojnë integrimin e Kosovës në rrjetet evropiane të komunikimit dhe të kulturës, duke e bërë Kosovën pjesë të hartës kulturore evropiane përmes asaj që quhet diplomaci kulturore dhe integrim kulturor përmes kulturës. Kosova tashmë do të jetë në Evropë përmes produkteve të saja kulturore, nëpërmjet artistëve, krijuesëve dhe njerëzve të kulturës”, tha Gashi.
“Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ratifikimit dhe hyrjes në fuqi, neve si ministri kemi ndërmarrë të gjitha veprimit e nevojshme për krijimin e strukturave përkatëse sikurse themelimi dhe funksionalizimi i Zyrës për Programin Evropa Kreative Kosovë. Zyra në fjalë operon me kapacitete të plotë dhe ka mandat promovimin e programit në nivel kombëtar si dhe Nën-Programin për Kulturë në mënyrë që të mund të ndihmojë krijuesit në lidhje me procesin e aplikimit dhe gjetjes së partnerëve të nevojshëm dhe të stimulojë bashkëpunimin ndërkufitar midis profesionistëve, platformave institucionale dhe rrjeteve në sektorët kulturorë”, tha Gashi.
“Në këtë kuadër, Ministria e Kulturës, Rinisës dhe Sportit e Republikës së Kosovës mbetet në vazhdimësi e përkushtuar që të krijojë dhe të zhvillojë politika, ambient dhe mekanizma të përshtatshëm për promovimin e aktiviteteve të kulturës, duke stimuluar kështu krijimtarinë kulturore duke si dhe duke zhvilluar dhe afirmuar kulturën e vendit tonë në rajon dhe arenën ndërkombëtare”, shtoi Gashi.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha tha se ky program do mundësoj që artistët kosovarë t’i promovojnë veprimtaritë e tyre artistike në gjithë botën.
“Ministria që unë drejtoj ka mandat për krijimin e donacioneve në vend dhe përfitues të donacioneve të jenë të gjitha sektorët në Kosovë. Diversiteti kulturor ka bazën e BE-së dhe përmes këtij programi me kontribu në zhvillimin kulturor sepse Kosova do jetë me afër Bashkimit Evropian. Evropa kreative do u mundësoj komuniteteve kulturore me kriju vepra artistike me ndikim në Kosovë dhe mbarë botën”, tha Hoxha.
Ajo tha se Kosova ka nevojë të bëjë më shumë në këtë drejtim në mënyrë që të rriten kapacitetet e përgjithshme dhe të promovohen veprat artistike.
“Kosova ka nevojë të bëj më shumë në këtë drejtim mu rrit kapacitetet e përgjithshme me u promovu veprat artistike në gjitha sektorët në Kosovë dhe falënderoj ministrin për përpjekjet e tij. Ky program ka synim integrimin e Kosovës në rrjetin evropian më komunikim të kulturës përmes veprimtarisë të krijueseve të artistë e tanë”, tha ajo.