Gashi: Fakulteti për Siguri Publike është një prej shtyllave të suksesit të Kosovës

Prishtinë | 08 Tet 2018 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), u mbajt ceremonia e fillimit të vitit akademik për studentët e Fakultetit të Sigurisë Publike.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, Dekani i FSP-së, mësimdhënës të FSP-së etj.

Më këtë rast ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi duke i uruar studentëve suksese në vitin e ri akademik vlerësoi se në Fakultetin e Sigurisë Publike është duke u bërë një punë mjaft profesionale.

“Një ditë, Fakulteti i Sigurisë Publike mund të krenohet me shërbimin madhor që i ka bërë dhe po i bënë vendit, duke arsimuar dhe përgatitur kuadro në shumë agjenci dhe shërbime shtetërore të cilët e kanë bërë Kosovën jo vetëm vend të sigurt për qytetarët e saj, por edhe partnerë të besueshëm dhe të çmuar në përpjekjet për forcimin e sigurisë ndërkombëtarë”, u shpreh Gashi.

Ai tha se në Fakultetin e Sigurisë Publike po përgatiten breza, studentë profesionistë dhe të përkushtuar, të cilët janë pjesë e Policisë së Kosovës, Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Shërbimit Korrektues dhe Doganave të Kosovës.

Gashi në veçanti falënderoi stafin mësimdhënës të Fakultetit të Sigurisë Publike për punën dhe kontributin e tyre të palodhshëm. Ai tha se ky fakultet është një prej shtyllave të suksesit të Kosovës për ofrimin e sigurisë dhe zbatimit të ligjit.

“Shumë suksese të Kosovës në fushën e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare janë të ndërlidhura në mënyrë të pandashme në përpjekjet e tyre dhe mësimdhënësve të këtij fakulteti. Ju të nderuar mësimdhënës keni ditur gjithmonë që t’ju jepni studenteve shembullin, modelin e virtyteve të ndershmërisë dhe drejtësisë njerëzore, që është e domosdoshme për profesionin që lidhen me Fakultetin e Sigurisë Publike”, tha Gashi.

Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, tha se programi studimor Bachelor i Sigurisë Publike dhe është bazuar në nevojat e institucioneve të sigurisë publike.

“Akademia do të jetë një faktor kyç në krijimin e sigurisë në Republikën e Kosovës duke ofruar kompetenca të nivelit të lartë tek autoritetet e zbatimit të ligjit për t’iu përgjigjur sfidave që ndryshojnë vazhdimisht”, theksoi Smakiqi.

Në fjalën e tij Dekani i Fakultetit së Sigurisë Publike, z. Nexhat Jashari tha se ndihet i nderuar që sot në këtë ditë shumë të veçantë, të ceremonisë së fillimit të vitit akademik, fillimit të ligjëratave të studentëve të gjeneratës së pestë në nivelin Bachelor, të ju dëshiroj suksese në punë dhe studime.

Të ngjashme