Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, vëmendje të veçantë do t’i kushtojë trashëgimisë kulturore. Por sfidë në këtë fushë, mbetet mosfunksionalizimi i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi, raporton Ekonomia Online.
Problem për MKRS-në mbetet edhe bashkëfinancimi i projekteve me komunat përkatëse të vendit, të cilat nuk po ndajnë mjetet e nevojshme për finalizimin e projekteve të trashëgimisë kulturore.
Kështu është shprehur, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë raportimit në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport.
“Theks të veçantë do i kushtojnë edhe pjesës së trashëgimisë kulturore. Sfidat në fushën e trashëgimisë kulturore janë ato administrative të financimit të projekteve por ajo më e veçantë është mbyllja e llogarive bankare të institucioneve të trashëgimisë kulturore, gjithashtu edhe bashkëfinancimi për projektet kulturore me komunat pasi komuna nuk ndaj mjete për këtë pikë dhe kjo është një neglizhencë pavarësisht që kemi kërkuar shumë herë. Mos funksionimi i këshillit të Kosovës për trashëgimi kulturore mbetet një sfidë e madhe për MKRS-në por edhe për shtetin”, tha Gashi.
Në lidhje me mosbashkëpunimin ndërmjet ministrisë dhe Këshillit për Trashëgimi Kulturore, pyeti edhe deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu.
“Kemi qenë në këshill dhe problemin kryesor e kemi mos bashkëpunimin e MKRS-së me këshillin për trashëgimi kulturore. Aktualisht ky këshill nuk është funksional. Këshilli problemin kryesor e sheh tek Ministria dhe sipas këshillit në datën 15 Shkurt ata ankohen që nga viti 2015 MKRS nuk ka sjellë listë të aseteve”, pyeti Haxhiu.
Gashi tha se Këshilli për Trashëgimi Kulturore nuk ekziston në Kosovë fare dhe se ky këshill vazhdimisht tregohet i pa përgjegjshëm kundrejt MKRS-së.
“Çështja e këshillit është debat për votim por po e shoh që këshilli po ia huq mandatit. Nuk kam pas mundësi me i taku pasi ata nuk ekzistojnë për mu nuk ekziston këshilli pasi Kosova nuk ka këshill e ka vetëm një zyrtarë administrativ dhe unë me ata nuk kam çka takohem”
Sipas Gashit, MKRS-ja nuk duhet të mbahet peng nga mos përgjegjësia e Këshillit për Trashëgimi Kulturore.
“Ne ia dërgojmë lëndën dhe për këtë lëndë presim 30 ditë dhe ata nuk munden me mbajt peng Ministrinë dhe shpresoj që të vije një këshill më punëtorë dhe më pak politik”
Tutje ministri Gashi, bëri të ditur se Inspektorati për Trashëgimi Kulturore, prej fillimit të punës, ka ndërmarrë 20 masa dhe veprime. Sipas tij, në procedurë është edhe Ligji për Rininë.
“Prej funksionimit të inspektoratit për trashëgimi kulturore ata kanë marrë deri tani 20 masa dhe veprime. Inspektorati po ashtu ka dhënë 30 rekomandime për institucionet e trashëgimisë kulturore. Kemi në procedurë ligjin për rini një ligj i rëndësishëm dhe jemi duke e harmonizua dhe plotësuar si ligj dhe shpresojmë që do ta nxjerrim një brumë shumë të mirë të këtij ligji”, u shpreh Gashi.
Ai foli edhe për projektet të cilat do t’i përfundojë gjatë mandatit të tij, si ministër i MKRS-së. Sipas Gashit, Kosova do bëhet edhe me objektin e ri të baletit, teatrit dhe operës e cila do merr emrin e ish-presidentit kosovar “Ibrahim Rugova”.
“Do e kisha veçuar statutin e muzeut që i ka munguar trashëgimisë kulturore. Tashmë kemi përmbyllë edhe fazën e konkurseve publike për projektet kulturore. Kemi të hapur edhe konkursin për botimin e librave. Jemi në fazën finale të projektimit të objektit të baletit, teatrit dhe operës Ibrahim Rugova. Jemi afër hapjes së kompleksit e cila do merr emrin Nexhmie Pagarusha dhe jemi në procedurë të renovimit edhe të Teatrit Kombëtarë në Prishtinë”, shtoi Gashi.
Gashi shtoi se këtë vit në kuadër të projekteve kulturore të MKRS-së, ka një rritje të buxhetit prej 10 milion eurosh, dhe se buxheti është rritur për të gjitha institucionet e kulturës në Kosovë.
“Kemi një rritje të buxhetit në projektet kulturore e cila kap shifrën e 10 milion eurosh. Kemi rritë buxhetin për të gjitha institucionet e kulturës për vitin 2019. Kosova edhe sivjet do të jetë pjesë e Bienales së Venedikut edhe këtë vit Kosova do paraqitet denjësisht në këtë aktivitet. Kemi mbështetë edhe pjesëmarrjen e Kosovës në panairin ndërkombëtarë të librit”
Gashi foli edhe për themelimin e fondit rinor nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Për këtë fond, sipas Gashit, janë ndarë 1 milion euro dhe kanë përfituar 80 të rinj të cilëve u është ndarë një shumë nga 5 mijë euro.
“Këtë vit kemi themelua edhe një fond rinor i cili ka shifrën e 1 milion eurosh përmes këtij fondi kemi financua 80 të rinj me një shumë nga 5 mijë euro”, pohoi Gashi.
Një projekt mjaft i madh sipas Gashi po cilësohet edhe finalizimi i dy stadiumeve, njëri në Shtime e tjetri në Rahovec. Gashi bëri të ditur se MKRS-ja është në prag të lidhjes së kontratës për renovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë.
“Stadiumi kombëtar parashihet të fillon këtë vit tashmë është zgjedhë kompania e cila do ta zbatojë projektin. Jemi në prag të lidhjes së kontratës për renovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë. Ajo çka është me rëndësi është përfundimi i dy stadiumeve një në Shtime dhe një në Rahovec”, u shpreh Gashi, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi, pyeti ministrin Gashi, se pse po rindërtohen shtëpitë ku ka trashëgimi kulturore e nuk po ruhet rëndësia e tyre.
“Për shtëpinë e Xhavit Devës janë shpenzuar 290 mijë euro dhe ky objekt vazhdon të mbetet në gjendje të rëndë. Si dhe objekti i Shaban Polluzhës është rindërtuar me 160 mijë euro dhe nuk është ruajtur trashëgimia e këtij objekti. MKRS thuhet se nuk i ka ofruar të dhëna këshillit për trashëgimi kulturore për hartimin e raportit. Edhe në trashëgimin arkeologjike asnjë projekt nuk është dërguar për vlerësim në këshillin e trashëgimisë kulturore. Për turizmin thuhet se MKRS ka planifikuar mjete por nuk dihet ku janë shpenzuar ato”, pyeti Kurteshi.
Gashi bëri të ditur se kanë filluar punën në zyrat e Ministrisë së MKRS-së në Prizren dhe funksionalizimi i asaj ministrie, i ka disa procedura për hapje.