Gashi nga pozita e Kryesuesit të KPK-së zotohet për paanshmëri dhe transparencë

Prishtinë | 13 Mar 2026 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

Arian Gashi me t’u zgjedhur kryesues i Këshillit Prokurorial ku mori katër vota “për”, është zotuar se detyrën do ta ushtrojë me paanshmëri, transparencë dhe profesionalizëm, raporton Ekonomia Online.

Ai po ashtu në fjalën e tij, nga ulësja e kryesuesit tha se angazhimi i tij do të jetë për forcimin e integritetit, llogaridhënies, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit prokurorial.

“Ky besim për mua përfaqëson një përgjegjësi të madhe dhe një angazhim të veçantë për ta ushtruar këtë detyrë me përkushtim. Zotohem që detyrën të cilën ma keni vlerësuar do ta ushtroj me paanshmëri, transparencë dhe profesionalizëm, duke respektuar çdo herë Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës. Angazhimi im do të jetë i vazhdueshëm për forcimin e integritetit, llogaridhënies, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit prokurorial. Arritja e këtyre objektivave në të mirë të sistemit prokurorial kërkon angazhim maksimal, të cilin angazhim do ta realizojmë së bashku, me bashkëpunim të mirëfilltë, kolegial dhe frytdhënës”, tha ai.

Pas kësaj ai dha dorëheqjen nga pozita e kryetarit të Komisionit për Cështje Normative, pasi që nuk mundet njëkohësisht të ushtrojë edhe këtë pozitë edhe atë të kryesuesit.

Gashi si kundërkandidat pati Milot Kransiqin, i cili mori dy vota.

Të ngjashme