Gashi ngushëllon familjen Kurti: Bota e artit ka humbur një prej aktorëve të rinj më të talentuar

Prishtinë | 24 Pri 2018 | 15:38 | Nga

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka ngushëlluar familjen e aktorit Art Kurti, i cili u gjet i vdekur me një plumb në kokë në një veturë në Gjakovë, për të cilin policia dyshon se ka bërë vetëvrasje.

Në telegram ngushëllimin e ministrit Gashi thuhet se lajmin për vdekjen e parakohshme të Kurtit e kanë pranuar me pikëllim të madh dhe se bota e artit ka humbur një prej aktorëve të rinj më të talentuar, transmeton Ekonomia Online.

Gashi ka thënë se ndarja nga jeta e Kurtit është humbje e madhe për familjen, miqtë dhe artdashësit.

Telegram ngushëllimi i plotë i ministrit Gashi:

E nderuara familja Kurti,

Lajmin për vdekjen e parakohshme e të dashurit tuaj, Artit, aktorit tonë të mirënjohur, e morëm me pikëllim të madh.

Bota e artit ka humbur një prej aktorëve të rinj më të talentuar.

Arti u nda nga kjo jetë në moshë të re, duke lënë në gjysmë rrugëtimin e tij prej artisti. Ai me punën e tij, bëri që të jetë i respektuar në botën e artit e të kulturës por edhe jashtë saj. Me entuziazmin e tij prej të riu ai do të jepte kontribut të madh andaj Arti do të na mungojë.

Ndarja e hershme e Art Kurtit, është humbje e rëndë jo vetëm për ju, familjen dhe miqtë, por është humbje dhe do të jetë mungesë e madhe për artdashësit dhe të gjithë ata që e njohën.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Art Kurtit.

 

Të ngjashme