Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, tha se koalicioni PAN nuk e kanë të drejtën ekskluzive të bllokimit të punës së Kuvendit.
Madje ai i quajti banale pohimet se po shiten deputetët. Gashi tha se PAN nuk mund ta blejë askënd, ashtu siç po flitet për votat.
”PAN nuk mund ta blejë askënd, kush u shit dej tash? Askush. Ky është Kuvend ku përfaqësojmë bazën me vlerën për të cilën jemi këtu’’, ka thënë ai në seancë.
“Të dërgojmë mesazhe të qarta të qytetarëve, të dërgojmë mesazhe se çfarë shoqërie po ndërtojmë, dhe cila do të jetë e ardhmja e qytetarëve të Kosovës dhe fëmijëve tanë. Gjuha që përdorim duhet të jetë e kujdesshme”.
Sipas Gashit, nëse ata nuk janë të gatshëm të vinë e ta propozojnë kandidatin, duhet të zgjidhen të paktën nënkryetarët.
“Të gjithëve neve na takon nga një nënkryetarë. Askush nuk mund të na e mohojë neve mundësinë e propozimit të kandidateve tanë për nënkryetarë. T’i zgjedhim ata dhe t’i bindim Listën Serbe dhe komunitetet tjera që të jenë në seancë. Atëherë ne kemi kuorum dhe mundë të punojmë”, ka sqaruar Gashi.