Arian Gashi, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), në një intervistë ekskluzive në emisionin “Tempus” në KTV, duke folur për procesin e zgjedhjes së anëtares së re të KPK-së, Elza Bajrami-Kastrati, tha se ky proces ishte transparent, pa të meta dhe në përputhje me ligjjin.
“I gjithë procesi zgjedhor ishte një proces transparent, në përputhje me Rregulloren dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ky proces ishte bërë në përputhje të plotë edhe me Rregulloren që kishte miratuar Këshilli Prokurorial me shumicë votash pa asnjë vërejtje”, tha Gashi.
Sipas tij, Rregullorja dhe Ligji për KPK-në, kishin kaluar të gjitha filtrat para miratimit.
“Procesi që ishte zhvilluar- proces në të cilin unë kam qenë edhe kryetar i Komisionit për procesin zgjedhor, ishte ndoshta një nga proceset më transparente sepse gjithçka ishte live, ku i gjithë opinioni publik nga afër kishte parë se si ishte zhvilluar ky proces”, u shpreh Gashi.
Kryesuesi tha se procesi zgjedhor përveç që nuk kishte vërejtje, kishte marrë lëvdata edhe nga shoqëria civile dhe ndërkombëtarët.
Por, ai thotë se ajo që ndodhi pas procesit ishte e pakuptueshme sepse pikërisht aty filluan pakënaqësitë, të cilat nuk kishin të bënin me procesin por me rezultatin zgjedhor që prodhoi ky proces.
“Ajo çfarë dua të theksoj, ashtu sikurse ligji edhe vetë Rregullorja për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë, parasheh që anëtarët prokurorë i zgjedhin vetë prokurorët në Konferencën e Përgjithshme e cila ishte thirrur dhe organizuar nga Kryeprokurori i Shtetit. Mirëpo, edhe pse ky proces kishte kaluar nëpër gjithë këta filtra, kishte një pakënaqësi nga një numër i anëtarëve të Këshillit paraprak, që si duket ky rezultat zgjedhor nuk u shkoi për shtati disa prej tyre”, theksoi Gashi.
Kryesuesi i KPK-së tha se nuk i zgjedh Këshilli anëtarët por vetë prokurorët. Tha se rezultati ishte i thellë në raport me kandidaten kundërshtare të kandidates fituese.
“Pikërisht, për shkak të këtyre pakënaqësive kishim edhe një procedurë që filloi ndaj vetë ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, zotit Besim Kelmendi, pikërisht për shkak të qasjes që ai kishte në raport me vetë rezultatin zgjedhor sepse edhe vetë i njëjti ka deklaruar nëpër paraqitjet publike se kush qëndron prapa gjithë këtyre. Prandaj, i gjithë ky proces, meqenëse kishte përfunduar në përputhje me Rregulloren dhe Ligjin vetëm duhej të certifikohej raporti i Komisionit zgjedhor”, shtoi ai.
Meqenëse obligimin e certifikimit nuk e kreu Këshilli, Gashi thotë se pasuan procedurat gjyqësore, e të cilat vendime kishin një epilog të njëjtë, se procesi i shkarkimit të u.d Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ishte arbitrar, i kundërligjshëm, pa procedurë që kërkon ligji, dhe se procesi zgjedhor i zgjedhjes së Bajrami-Kastratit ishte i rregullt dhe pa të meta.