Ligji për sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka hyrë dje në fuqi.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi thotë për EkonomiaOnline se tashmë është hap një rrugë e re për mbështetjen e sportistëve.
Thotë se mbështetës i sportit kosovar do të jetë edhe komuniteti i biznesit, ku me anë të sponsorizimeve, do të rriten dukshëm fondet për kulturë, rini, e sport, duke nxitur zhvillimin e tyre më të madh.
“Besoj që nga dje lirisht mund të themi që për Kosovën janë hapë mundësi që të kemi më shumë medalje, më shumë çmime për artin e kulturën dhe me theks të veçantë të kemi më shumë zhvillim të aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive, sepse nëse deri tani kemi mbështet, ashtu siç thashë 4 milionë euro sportin, sot është hapë mundësia dhe rruga që kjo mbështetje të shkon ndoshta 10 milionë ose 15 milionë, sepse janë statistika që kemi këtu dhe të mbledhurat që ka pas Ministria e Financave, ku janë mbledhur 100 milionë euro nga tatimi në fitin”, thotë ai.
Gashi bën të ditur se me hyrjen në fuqi të këtij ligji, presin që sponsorizimet të rriten deri në 30 për qind, ose 30 milionë euro më shumë.
“Nëse e krahasojmë ose mundësojmë që ky sponsorizim të ndodhë 30 përqind, 20 për kulturë dhe rini, kemi mundësi që në Kosovë të kemi një mbështetje për këta sektorë deri në 30 milionë euro, pra një rritje jashtëzakonisht e madhe e cila gjithsesi do të mundëson që vendi ynë të promovohet edhe më mirë dhe të kemi edhe një imazh të ri për vendin tonë përmes sportistëve dhe artistëve”.
“Jam shumë i lumtur që nga dje është hapë një rrugë e re dhe dritare e re për gjithë ata artistë të jashtëzakonshëm, por edhe për sportistë të talentuar që ka vendi ynë, në xhudo, si ambasador i Kosovës në arenën ndërkombëtare në fushën e sportit, por pa dyshim edhe për shumë artistë, regjisorë e shumë aktorë që sot përfaqësojnë vendin tonë në shumë ngjarje të mëdha kulturore jashtë vendit”, thotë Gashi.
I pari i MKRS-së thotë se bashkë me komunitetin sportiv, por edhe odat ekonomike, kanë filluar një tur të informimit për bizneset, në mënyrë që të rritet edhe investimi i tyre në sport.
Thotë se interesimi i bizneseve për të financuar ngjarjet sportive është tejet i madh.
“Në fakt biznesi ka qenë jashtëzakonisht shumë i interesuar, në vitin e kaluar kemi filluar një tur të informimit për të gjithë komunitetin e biznesit në të gjitha komunat. Bashkë me komunitetin olimpik të Kosovës dhe me odat ekonomike që ka vendi ynë dhe shihet një interesim jashtëzakonisht i madh i komuniteteve të biznesit dhe bizneseve të mëdha dhe korporatave që të jenë pjesë e mbështetjes për aktivitetet sportive, rinore dhe kulturore sepse ata tashmë e gjejnë veten edhe në këtë financim të aktiviteteve me që ligji apo rregullorja për sponsorizime të cilat poashtu i kemi nxjerrë ne si ministri në mënyrë që ti mundësojmë implelementim më të lehtë ligjit”, thotë Gashi.
Gashi tregon se kanë krijuar mekanizmat tjerë ligjorë të ciëlt rregullojnë mënyrën e financimit të sportistëve kosovarë.
Thotë se përveç financimit, ky ligj do të mundësojë edhe ngritjen e cilësisë.
“Kemi themeluar mekanizma tjerë siç është Komisioni për vërtetimin e sponsorizimit dhe kemi një kornizë të tërë edhe të aspektit ligjor, por edhe të mekanizmat që kanë me mbështet përkatësisht me mbikëqyr dhe kontrollua mënyrën se si kanë me u financua sportistët, artistët, klubet apo institucionet e kulturës”, thotë ai.
“Do të kemi edhe sport më cilësor, do të fokusohen komuniteti i biznesit por edhe donatorët të eksportit që kanë rezultate, do të kemi një profilizim edhe të sportit, veçanërisht do të ngrihet cilësia në sport dhe siç dihet sporti është edhe një aspekt i veçantë edhe për shëndetin tek të rinjtë e ata që janë pjesë e aktiviteteve sportive. Por mbi të gjitha një synim i yni edhe si ministër ka qenë që të punojmë dhe të kemi programe për masivizimin e sporteve sepse në Kosovë ka numër shumë të vogël të qytetarëve dhe sportistëve që marirn pjesë në aktivitete sportive. Prandaj është hap një mundësi e re të masivizohet sporti të kemi ngritje të qytetarëve për pjesëmarrje në sport, direkt dhe indirekt. Është hap rruga që nëse deri dje kemi mbështet sportin me 4 milionë, sot dhe nesër të mbështetet me 40 milionë”, thotë ai.