Gashi: Shpend Ahmeti zëvendëson 6 drejtorë shkollash me militantë të VV-së

Prishtinë | 13 Maj 2017 | 10:45 | Nga

Shefi i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Agim Gashi, ka akuzuar kreun e Prishtinës, Shpend Ahmeti se ka zëvendësuar gjashtë drejtorë shkollash me militantë të Vetëvendosjes.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, përmes një vendimi absurd ua ndërpreu kontratat  e punës si ushtrues detyre të drejtorit gjashtë drejtorëve të shkollave fillore të Komunës së Prishtinës (shkolla fillore “Elena Gjika“, sh.f. “Zenel Hajdini”, sh.f. “Shkëndija”, sh.f. “Dëshmorët e 21-shës, sh.f. “Nënë Tereza” dhe sh.f. “Teuta”), të cilët kishin mandate për ta ushtruar detyrën e tyre deri më 15 qershor 2017,  pa asnjë arsyetim, qoftë juridik, qoftë profesional të vlerësimit të përformancës së tyre.

“Ky veprim arbitrar i kryetarit të Komunës,  nuk është gjë tjetër, përveq një zbrazje e mllefit të tij ndaj udhëheqësve të institucioneve edukativo-arsimore të Komunës së Prishtinës, të cilët me punën e tyre profesionale udhëhoqën dinjitetshëm këto institucione dhe punuan në procesin mësimor gjatë tërë karrierës së tyre”, thuhet në reagim.

“Ky veprim i Shpend Ahmeti u bë vetëm se këta drejtorë shkollash nuk u anëtarësuan në partinë e tij.  Meqë jemi në prag të zgjedhjeve, drejtorët e shkollave gjatë procesit zgjedhore kryejnë rolin e menaxherëve të qendrave të votimit, prandaj Shpend Ahmeti i zëvendësoi me ushtrues detyre të tjerë, anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Ky veprim i kryetarit Ahmeti nuk ka si të shpjegohet ndryshe, ku me rastin e marrjes së këtij vendimi, nuk u konsultua fare me drejtorinë përkatëse në Komunë, nuk mori fare parasysh efektet negative që krijohen nëpër institucione, kur vendimet nuk janë në harmoni me procedurat ligjore përkatëse, kur këto ndryshime bëhen për interesa politike dhe nuk merren parasysh afatet mandatore, opinionet ligjore, rregullativa në fuqi, kodi moral qeverisës dhe shumë faktorë të tjerë”.

“Arbitrariteti i kësaj qeverisje është plotësisht në disproporcion me premtimet e tij gjatë fushatës së vitit 2013 sepse, aso kohe, ndër të tjera, kishte premtuar edhe departizimin e shkollave  dhe depolitizimin e proceseve zgjedhore. Aso kohe akuzonte qeveria komunale se i ka partizuar dhe politizuar shkollat e Prishtinës”.

“Përkundër kësaj, partizimi i institucioneve dhe politizimi i proceseve ndodhi dhe po ndodh edhe më tutje gjatë këtyre viteve të fundit sepse shumica e të zgjedhurve për të udhëhequr shkollat e Prishtinës janë kandidat të anëtarësuar në partinë e Shpend Ahmetit, militant të kësaj partie apo adhurues të maskuar vetëm sa për të mbijetuar gjatë këtij mandati”.

“Brenda një kohe disa javore apo mujore do t’i pret fat i njëjtë edhe drejtorët tjerë, të cilët ende nuk janë zëvendësuar me kuadro-anëtarë të Vetëvendosjes”, thuhet në reagim.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme