Komiteti Olimpik i Kosovës ka mbajtur konferencë për media, në lidhje me pjesëmarrjen e Ekipit Olimpik të Kosovës në Lojërat Olimpike Verore për të rinj, Buenos Aires 2018 të cilët sot do të nisen për në Argjentinë për të marrë pjesë në këto lojëra.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se shpreson që këta sportistët do të kthehen me medalje dhe se është i përkushtuar vazhdimisht të bëjë përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
“Është kënaqësi e veçantë që sot të jemi këtu për t’i përcjellë sportistët tanë në Argjentinë për pjesëmarrje në Lojëra Olimpike për të rinj dhe për t’i uruar sportistët që me rezultate dhe suksesin e treguar deri më tani si qytetarë të Republikës së Kosovës na kanë bërë krenarë”, tha ai.
Gashi tha se pjesëmarrja në këto lojëra është e veçantë sepse Kosova merr pjesë për herë të parë, raporton EO.
“Është e veçantë kjo pjesëmarrje sepse ndodh për herë të parë që Kosova po merr pjesë në këto gara në Argjentinë dhe përfaqësimi si shtet përmes ambasadorëve të sportit është e rëndësishme për shtetin e ri dhe ju përgëzoj juve, Komitetin Olimpik, që po bëni një punë të mirë në mbështetje të këtyre sportistëve”.
“Veprimi i rëndësishëm që rrjedh si rezultat i bashkëpunimit të mirë që kemi dhe në emër të qeverisë dhe Ministrisë të Sportit u uroj gjithë sportistëve që janë pjesë e këtyre lojërave dhe uroj të kthehen me medalje dhe jam i bindur që duke pasur parasysh talentin e sportistëve që ka Kosova në këto lojëra do na sjellin medalje dhe kjo do të jetë një krenari edhe për neve si institucione dhe qytetarë të këtij vendi“, tha ai.
“Ju garantoj se Republika e Kosovës dhe Ministria e Sportit do të jetë vazhdimisht përkrahëse e sportit në Kosovë. Jemi thellësisht të vendosur se të njëjtën të vazhdojmë edhe herëve të tjera në gjitha lojërat që do të organizohen”, tha ai.
Gashi tha se është i vetëdijshëm që në Kosovë ka ende mungesë të infrastrukturës sportive, por se është duke punuar vazhdimisht që të bëjë përmirësimin e kësaj gjendjeje, raporton EO.
“Këtë vit kemi filluar pishinën olimpike në Prizren dhe do bëjmë edhe 2 të tjera në vitin e ardhshëm dhe do mundohemi t’u përmirësojmë kushte për infrastrukturën sportive”, tha ai.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se falënderon MKRS-në për mbështetjen e madhe që po i bëhet KOK-ut dhe sportistëve kosovarë.
“Mbështetja e juaj pa dyshim është e jashtëzakonshme për sportistët dhe institucionet sportive. Na keni mbështetur në vazhdimësi dhe vazhdoni dhe ne garantojmë se do ta bëjmë më të mirën në këto lojëra”, tha Hasani.
“Kosova merr pjesë për herë të parë, hera e parë është historike dhe të gjithë sportistët dhe pjesëmarrësit e kanë ndjenjën e pjesëmarrjes së parë“, tha ai.
“Lojërat olimpike janë të veçanta, sepse po respektohet barazia gjinore. Nga 5 sportistët që do të marrin pjesë kemi 2 vajza”, tha Hasani.
Hasani foli për të gjithë sportistët të cilët do të udhëtojnë sot për në Argjentinë dhe tha se ka pritshmëri të madha për secilin prej tyre, por në veçanti pritshmëritë më të mëdha qëndrojnë te xhudistja Erza Muminoviq.
“Nisemi si kampion, do qëndrojmë si kampion do të kthehemi si kampion”, theksoi Hasani.
Boksieri Erdonis Maliqi tha se shpreson që do të kthehet me medalje në Kosovë.
“Shpresoj që jam përgatitur në maksimum dhe do t’i sjellim medalje Kosovës”, tha Maliqi.
Melisa Zhdrella, sportiste e notit, tha se infrastruktura sportive e notit në Kosovë është shumë pak e zhvilluar por beson se është e përgatitur mjaftueshëm për të qenë pjesë e këtyre garave.
“Unë si sportiste jam e lumtur që po e përfaqësoj Kosovën në Lojërat Olimpike dhe duke marrë parasysh se infrastruktura sportive e notit është e ulët në Kosovë, sepse mungojnë pishinat olimpike, do ta bëj maksimumin”, tha ajo.
Sportistët të cilët do të udhëtojnë sot në Argjentinë për të qenë pjesë e Lojërave Olimpike për të Rinj 2018 janë xhudistja Erza Muminoviq, boksieri Erdonis Maliqi, atletiku Muhamet Ramadani, notuesja Melisa Zhdrella dhe Bleron Fetaovski që do të garojë në peshë ngritje.