Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot këngëtaren Nexhmije Pagarusha.
Pas propozimit të ministrit Gashi, Qeveria e Kosovës muajin e kaluar mori vendim që këngëtares Nexhmije Pagarusha t’i njihet statusi i qytetares me merita të veçanta për shkak të kontributit të saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe. Këtë vendim ministri Gashi ia dorëzoi sot këngëtares Nexhmije Pagarusha gjatë vizitës që i bëri në banesën e saj.
Me këtë rast, ministri Gashi shprehu falënderim të veçantë për znj. Pagarusha duke thënë se “bilbili i këngës shqipe Nexhmije Pagarusha ka dhënë kontribut të madh në përçimin e vlerave dhe traditave të vendit tonë me pjesëmarrjen e saj në festivale e skena të njohura ndërkombëtare.
Po ashtu ai njoftoi se nga muaji i kaluar znj. Pagarusha kanë filluar t’i transferohen mjetet në baza mujore.
Ministri u zotua që do të vazhdoj të ndihmojë krijimtarinë e saj artistike duke ia bërë monografinë dhe njëkohësisht edhe kompleksin në Pagarushë, pikërisht afër shtëpisë së saj.
Ndërkaq, këngëtarja Nexhmije Pagarusha falënderoi ministrin për kujdesin e tij në vazhdimësi ndaj saj dhe për iniciativën e marrë për mbështetje financiare.