Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka reaguar ashpër pas deklaratave që bëri të shtunën ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ku tha se urgjentisht duhet të ndalen të gjitha format e organizimit ku ka turma njerëzish, kjo për shkak të rritjes së numrit të rasteve ditëve të fundit.
Gastronomët kanë publikuar disa imazhe ku thonë se sektori i hotelierisë po zbaton masat, anipse kanë qenë më të atakuarit ekonomikisht dhe seminaret sipas tyre janë shpresa e tyre e fundit për rimëkëmbje.
“Sektori i hotelierisë që nga fillimi i pandemisë COVID-19, ka qenë më i atakuari ekonomikisht dhe seminaret janë shpresa e tyre e fundit për rimëkëmbje”, thuhet në reagimin e tyre.
Reagimi i plotë:
Ditën e Shtunë morëm lajmin nga Ministri i Shëndetësisë Z. Armend Zemaj, se duhet të ndalen urgjentisht të gjitha format e organizimit ku ka grumbullime njerëzish për shkak të rritjes së rasteve të të infektuarve me COVID-19.
Me anë të Qarkores Informative nr. 01/2020 obligohen të gjitha institucionet qendrore dhe lokale që të ndalohen të gjitha grumbullimet publike, seminaret dhe punëtoritë.
Pasi që afarizmi i hoteleve lidhet shumë me këto veprimtari të institucioneve qendrore dhe lokale, dhe përderisa të gjithë obligohemi t’i respektojmë Vendimet e Qeverisë dhe i bashkohemi luftës kundër COVID-19, ky vendim nuk merr parasysh se të gjitha masat e sigurisë janë ndërmarrë dhe respektuar gjatë mbajtjes së këtyre aktiviteteve.
Sektori i Hotelierisë së Kosovës ka reaguar ndaj kësaj mase dhe ka publikuar foto ku shihet qartë se të gjitha masat janë marrë dhe respektuar si p.sh., shihet distanca prej 2 metra, matja e temperaturës para se pjesëmarrësit të futen në sallë, dezinfektimi i duarve, dhe gjithsesi te mbahet maska gjatë gjithë kohës së qëndrimit në objekt.
Gjatë luftës kundër virusit COVID-19, në rend të fundit duhet të ndalohet puna, pasi që me ndalimin e punës ndalohet edhe zhvillimi ekonomik dhe përparimi i shetetit.
Përderisa në vendet fqinje ndalohen grumbullimet të cilat nuk kanë qëllime pune, në Kosovë ndalohen seminaret dhe punëtoritë, të cilat po menaxhohen me shumë kujdes.
Sektori i hotelierisë që nga fillimi i pandemisë COVID-19, ka qenë më i atakuari ekonomikisht dhe seminaret janë shpresa e tyre e fundit për rimëkëmbje.
Shkatërrimi i bizneseve për shkak të vendimeve pa hulumtim mbrapa dhe me arsye për luftën kundër COVID-19, është i pa kuptueshëm dhe duhet të evitohet e ndalohet urgjentisht.
Fotot e paraqitura janë nga ambientet e Sirius Hotel, Emerald Hotel, Prishtina International. #gastroshembull