Carlo Ancelotti e ka zbrazur zyrën e tij në qendrën stërvitore të Napolit, pasi që Gennaro Gattuso do ta drejtojë seancën stërvitore të planifikuar për sot.
Trajneri Carlo Ancelotti u shkarkua nga Napoli të martën në mbrëmje, vetëm pak orë pas fitores me rezultat 4:0 kundër Genkut, që ia siguroi klubit italian kualifikimin në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve.
Ky vendim iu bë i ditur Ancelottit nga presidenti Aurelio de Laurentiis në Hotel Vesvio, që shpeshherë përdoret si zyre nga klubi italian.
Sky Sport Italia e ka konfirmuar se Ancelotti e vizitoi qendrën stërvitore të Napolit, Castel Volturno, këtë mëngjes dhe e ka zbrazur zyrën e tij. Lojtarët nuk kishin qenë të pranishëm, pasi që stërvitja e tyre është shtyrë për pasdite.
Kjo do t’i japë kohë Napolit ta zyrtarizojë Gattuson si trajnerin e ri dhe që legjenda e Milanit ta drejtojë skuadrën në seancën që do të mbahet në orën 14:30. Ndërsa, një konferencë për shtyp është organizuar të mbahet në orën 18:00.
I gjithë stafi i Ancelottit është shkarkuar, kështu që Gattuso do të punojë me një staf teknik të zgjedhur nga vetë ai, në përgatitjet për ndeshjen e së shtunës kundër Parmës.
Kjo ndeshje e fundjavës është shumë e rëndësishme, pasi që Napoli dhe Parma për momentin e ndajnë pozitën e shtatë në tabelën e Serisë A, me nga 21 pikë, transmeton express.