Barcelona mund ta ketë humbur Lionel Messin dhe shkëlqimin e dikurshëm, por po rifiton diçka tjetër, po rifiton talenta që në të ardhmen mund të jenë po aq të suksesshëm sa Andres Iniesta, Xavi Hernandez apo edhe Lionel Messi.
Për të tre këta Barça i ka në shtëpi zëvendësuesit, nga të cilët pritet shumë.
Dy vite më parë doli në skenë Ansu Fati, më pas Pedri që ka mahnitur të gjithë, dhe tani një tjetër, Gavi, vetëm 17-vjeçar.
Ai ka fituar zemrën e Ronald Koeman dhe po luan titullar çdo ndeshje, siç luajti edhe me Spanjën, pasi në tetor u thirr për herë të parë duke debutuar me La Rojën dhe menjëherë zuri vend në skuadër.
Gavi pritet të jetë titullar edhe në “El Clasico” kundër Real Madridit të dielën.
Për dikë është befasi sepse Gavi është i ri, vetëm 17-vjeçar, por për Xavin është normale, sepse ai beson se talenti i Barcelonës ka vërtetë gjithçka për të triumfuar.
“Ai është një djalë shumë i talentuar. Ajo që më befason më shumë është fakti se ai është vetëm 17 vjeç dhe po luan si një 30 vjeçar”, tha Xavi.
“Ai tashmë po tregon në moshën vetëm 17-vjeçare se mund të garojë në nivelin më të lartë. Është e pabesueshme. Teknikisht, ai është shumë i mirë dhe gjithashtu ka tiparet fizike për të qenë i suksesshëm. Ai ka gjithçka për të pasur sukses dhe ka një të ardhme të madhe përpara”.