Sipas ish-deputetes së LDK-së, Besa Gaxherri, kjo parti ka dhënë shembull për fuqizimin e gruas në politikën në Kosovë, me kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre.
Ajo në Rubikon të KTV-së në debatin për barazinë gjinore dhe përfaqësimin e gruas, ka thënë se gratë në politikën në Kosovë duhet të jenë lokale e të përshtatshme për t’u avancuar.
“Problemi i gruas është që duhet të kalojë, pasi që dominojnë meshkujt, përmes burrave të fortë politikisht. Shumica ndoshta duhet të jenë lojale dhe të përshtatshme që vërtetë të ecin tutje”, ka thënë Gaxheri. “Por në LDK, ne kemi shembullin konkret me kandidimin e znj. Osmani që ka qenë konsistente, ka ditur të kundërshtojë. Megjithatë, qytetarët e kanë kërkuar kandidimin e saj dhe LDK e ka bërë një gjë të tillë e jemi të gjithë rreth saj.
“Kur e bëjmë analizën e thellë, për çdo problematikë dhe jo të ndarë në gjini, duhet të ndalemi e ta pyesim vetën a jemi për këtë punë dhe a kemi vullnet. Vjosa Osmani është shembull i kësaj, që ka qenë konsistente, ka dhënë argumente se meriton një vend të tillë e LDK është krenare, por mendoj se në këtë radhë duhet Kosova të jetë krenare”, ka shtuar më tej ajo.
Idrizi: Osmani kurrë s’ka përkrahur ndonjë kauzë të grave
Kandidatja e PDK-së për deputete e Kuvendit të Kosovës, Valdete Idrizi, ka thënë se Vjosa Osmani, asnjëherë nuk ka iniciuar e as përkrahur një kauzë për gratë.
Në Rubikon të KTV-së, ajo ka thënë se Osmani, është një grua që e ngrit karrierën politike duke sharë, duke folur keq për tjerët.
“Qytetarët e mbajnë në mend. Nuk e pata ndërmend të reagoj mirëpo më nxiti të deklaroj. Në deklarimin e parë si e nimunuar për kryeministre thotë se unë deri në këtë ditë kam punuar e jam shkolluar vetëm që t’i çoj këta në shtëpi, pa ju ofruar asgjë qytetarëve të Kosovës dhe thotë se Isa Mustafa jam shumë e bindur që do t’i zgjedh ministrat. Nuk është ajo që do të vendos”, ka thënë Idrizi.
Por ndaj kësaj ka reaguar Besa Gaxherri e LDK-së.
“Një grua si Vjosa Osmani është vetë kauza”, i tha Gaxherri Idrizit.