Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Besa Gaxherri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po dëshiron të kap shtetin duke marrë pushtetin e plotë në legjislativ, ekzekutiv dhe Presidencë.
Gaxherirri i tha “Gazeta Blic” se LDK nuk do të lejojë që në asnjë formë të ndodh kapja e shtetit, duke kunërshtuar marrëveshjen për koalicion me VV-në.
“Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkon me këmbëngulje që ndarjen e pushtetit të kemi në mënyrë propercionale, jo vetëm sic po thuhet për pushtet, por vërtetë për demokraci duhet që pushteti të ndahet në mënyrë propercionale, askush nuk duhet të lejojë që një parti të ketë Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin dhe Presidentin. Në këtë drejtim po shkon Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka marrë Kryetarin e Kuvendit njëanshëm, po kërkon nga ne me votu edhe Kryeministrin dhe po punon që ta ketë edhe Presidentin. Kjo vetëm që nuk ka besim ndërmjet dy subjetkeve politike, por kjo është e dëmshme për vendin dhe me vetëdijen politike që e ka LDK-ja nuk do të lejojë. Po e përsëris, jo për pushtetin por për shtetin”, u shpreh Gaxherri.
Se VV synon ta marrë nën kontrollë edhe funksionin e Presidentit, sipas Gaxherrit është mungesa e garancisë nga partia e Albin Kurtit, se do ta mbështesin kandidatin e propozuar nga LDK për President.
“Në qoftë se VV-ja nuk është e gatshme me nda në mënyrë propercionale pushtetit deri në zgjedhjen e presidentit, ajo deri më tani nuk ka garantuar se do ta mbështes kandidatin e LDK-së, ajo thotë se do të mundohemi që me LDK-në ta gjejmë një kandidat konsensual, nëse nuk mundemi LDK do ta propzojë, por LDK nuk duhet të bashkëpunojë me PAN-in për t’i siguruar votat. Vetëvendosje nuk është serioze as për Presidentin, prandaj kështu nuk shkon, dhe mua po me vjen shumë keq që qytetarët e vendit nuk po e din të gjithë çfarë po ndodh, sepse nuk është në pyetje për të marrë pushtet por është në pytje për të mos lejuar që dikush të kap tërësisht pushtetin dhe shtetin”, ka deklaruar ajo.
Pavarësisht situatës së krijuar rreth mundësisë së arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje, kjo deputete nga radhët e LDK-së theksoi se do të bëjnë përpjekje deri në minutat e fundit që ky koalicion të ndodh.
“LDK do të bëjë përpjekje deri në minutën e fundit për të bërë këtë koalicion, në radh të parë për pritjet e qytetarëve e që në realitet ka dalur diçka krejt tjetër, por jo duke munduar të bëjmë një të mirë dhe dy të këqija. Por në qoftë se do të ndodh ky koalicion, VV duhet ti jap drejtim kësaj çështje. Deri më tani qëndrimi i Këshillit të Përgjithshëm është që LDK të bëjë koalicion me VV-në”, tha në fund ajo.
Në anën tjetër deputeti nga radhët e VV-së Haki Abazi, i tha sot “Gazeta Blic” se janë në fazën finale të marrëveshjes e që sipas tij nuk ka asnjë alternativë tjetër pos që këto dy subjekte të bëhen bashkë dhe të qeverisin me vendin.
“Mendoi që jemi në fazën e finalizimit të marrëveshjes, po ta them sinqerisht. Deklarimit dhe qëndrime të dy subjekteve politike VV e LDK janë që marrëveshja duhet të gjendet dhe bëhet, sepse pos VV e LDK qytetarët nuk kanë alternativë tjetër për qeverisje, tek e fundit qytetarët me votat e tyre e kërkuan këtë marrëveshje për bashkëqeverisje”, tha Abazi shkruan Gazeta Blic.
Sipas tij oferta e fundit e Lëvizjes Vetëvendosje për partinë e Isa Mustafës ka qenë që kryetarit i Kuvendit të jetë me rotacion.
“E vërtetë po dukemi larg por nuk do të thotë se është e pamundur që të gjendet një modus i veprimit. Ne e kemi thënë LDK ta marrë kryetarin e Kuvendit në një afat një vjeçar dhe ne pastaj ta kemi atë për tri vjet”, ka thënë Abazi.
Ndryshe, përfaqësuesit e dy partive LVV-LDK dje zhvilluan takimin e fundit të shoqëruar edhe nga ambasadorët e vendeve të QUNIT-it, por edhe ky takim ngjashëm sikurse ato të më hershmet, përfundoi pa një marrëveshje.
Më të përfunduar takimi, kreu i LDK-së Isa Mustafa, tha se presin nga VV-ja që të pranoj kushtet e tyre për bashkëqeverisje.
“Ne biseduam me VV-në për mundësinë e një koalicioni qeverisës informuam ambasadorët pasi ata kishin për qëllim ardhjen e tyre për informim, si LDK ne jemi të bindur se zgjidhja që e formuam kohët e fundit i kontribuon marrëveshjes së qeverisë e cila balancon mbi suazat e besimit të qytetarëve që morëm në zgjedhjet e 6 tetorit ne mbesim të hapur nëse VV-ja i pranon kushtet tona dhe konsiderojmë që do të jetë një marrëveshje që i kontribuon vendit”, tha Mustafa.
Ndërkaq lideri i VV-së, Kurti ka fajësuar LDK-në për mungesen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, sepse sipas tij ata nuk po tërhiqen nga kërkesa e 8 janarit.
“Nuk ka marrëveshje të stilit merre ose lëre”, tha ai.
Dje ishte takimi i 11 ndërmjet Kurtit dhe Mustafës. Nuk dihet nëse VV dhe LDK do të takohen sërish gjatë kësaj jave për të bërë përpjekjet e fundit për arritjen e marrëveshjes.
Ndryshe, pas dekretimit të Kurtit si mandatar për Kryeministër nga Presidenti Hashim Thaçi, kanë kaluar tetë ditë, derisa kanë mbetur edhe shtatë ditë kohë për të kërkuar votëbesim nga Kuvendi i Kosovës.