Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka publikuar raportin e përvjetshëm “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve – 2020”, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e Bordit të AGK-së Gentiana Begolli tha se klima e të bërit gazetari në vendin tonë po shkon nga viti në vit duke u rënduar, derisa tha se gazetarët po punojnë me paga të ulëta dhe me orar të stërzgjatur.
“Ajo çfarë është evidente se rastet e atakimeve ndaj gazetarëve nga viti në vit shtohen, klima e të bërit gazetari po shkon duke u rënduar dhe ballafaqohen me probleme të njëjta dhe paga shumë të ulëta”.
“Nëse flasim brenda mediumeve ku ata punojnë ballafaqohen me orare të stërngarkuara me nga një ditë pushim dhe mos të flasim me qasjen e redaktorëve. Te gazetarët është mbjellë frika se çfarë tema mund të trajtojnë”.
Drejtoresha ekzekutive e AGK-së Getoarbë Mulliqi tha se në vitin 2020 është rrit numri i sulmeve ndaj gazetarëve, ku nga 17 sulme në 2018, në vitin 2020 janë shënuar 24 raste.
“Në Kosovë media është nga sektorët që është goditur më së shumti. Nëse krahasojmë sulmet që janë bërë ndaj gazetarëve në vitin 2018 kemi pasur 17, në 2019 kemi 21 sulme ndërsa në vitin 2020 kemi 24 raste ka edhe raste të tjera që nuk janë raportuar, rastet më të rënda gjatë viti 2020 janë rastet e Shkumbin Kajtazit si dhe rasti i gazetarit Valon Syla”.
“AGK-ja luan rolin e sindikatës dhe duhet një sindikatë të përgjithshme dhe për momentin nga RTK, llojet e sulmeve të cilët janë përballë kolegët tanë mirëpo nuk qëndrojmë në top listën sepse Serbia është shteti i patë me më së shumti raste të raportuara”.
Drejtori i Këshillit të Mediave të Shkruara, Imer Mushkolaj tha se një numër i vogël i medieve kanë kod të etikës, derisa ka kërkuar që Kosova ta ketë një sindikatë të gazetarëve.
“Në Kosovë vetëm një numër vogël i mediave kanë kod të etikës. Kodi i etikës janë të rëndësishme për gazetarët dhe punën profesionale që bëjnë”.
“Gazetarët të kenë një rregullativ të plotë ligjore mënyrën se si funksionojnë ata, dy çështje që për mu janë specifike është ajo se del se gazetarët jo që kanë presione nga menaxherët por kanë vetë një lloj censure, një problem tjetër është droja e gazetarëve që të flasin në redaksi”.
Drin Gërguri, nga UP-ja tha se paga e gazetarëve nuk i’u mundëson jetesën në vend, raporton EO.
“Qëndrueshmëria ekonomike e gazetarëve sepse kemi gazetar që nëse e shohim nivelin e pagës është e pamjaftueshme për të bërë një jetë në Kosovë dhe në anën tjetër të vetëdijshëm për rëndësinë që ka gazetaria dhe informacioni i saktë dhe i drejtë”.
Ndërsa juristi, Yll Zeka tha se ekziston një bazë ligjore mjaft e mirë që mbron gazetarët, por që nuk zbatohet.
“Kemi një bazë ligjore të mirë që ofron mbrojtje për gazetarët, por ajo se çka zbatojnë në praktike kemi një gjendje krejt tjetër”.