Dhjetëra gazetarë marshuan të hënën në Sarajevë, duke kundërshtuar dhunën ndaj punonjësve të mediave.
Marshimi u zhvillua pasi tifozë të dyshuar të futbollit hynë në selinë e Radio Sarajevës më 27 shtator dhe e detyruan stafin të tërheqë një lajm nga ueb-faqja e tij.
Rreth 100 protestues u mblodhën fillimisht jashtë zyrave të klubit të futbollit Sarajeva dhe pastaj marshuan nëpër qytet, duke kërkuar mbrojtje më të mirë për gazetarët dhe ndëshkime më të ashpra për sulmet në media.
“Të qenët gazetar në Bosnje është shumë e vështirë dhe po bëhet më e vështirë çdo vit”, tha Faruk Vele, anëtar i bordit editorial në ueb-faqen e lajmeve radiosarajevo.ba.
Ai shtoi se institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës kanë dështuar t’i mbrojnë gazetarët nga sulmet.
Policia ndaloi dy persona në lidhje me incidentin e 27 shtatorit.
Sulmuesit, të cilët u prezantuan si tifozë të futbollit, e kërcënuan stafin e ueb-faqes radiosarajevo.ba derisa ai e hoqi lajmin se një tifoz i Sarajevës është dënuar me pesë vjet burgim në Bjellorusi, për shkak të posedimit të kokainës.
Duke e përshkruar incidentin si “situatë të pengmarrjes”, Radio Sarajeva tha se redaktori, i përballur me kërcënime me vdekje, është detyruar ta heqë lajmin.
Klubi i futbollit Sarajeva e dënoi incidentin.
“Ky sulm i tërbuar në Radio Sarajevë është i papranueshëm”, tha në një postim në Twitter ambasada amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë.