Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka protestuar sot në Prishtinë me moton “Mosndëshkimi vret lirinë e shprehjes”. Gazetarët kanë kërkuar përmirësim dhe rritje të bashkëpunimit me institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, raporton Ekonomia Online.
Majlinda Aliu nga AGK, tha se Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e gjene Kosovën në situatë jo të mirë sa i përket gjendjes së gazetarëve, sidomos në aspektin e sigurisë. Ajo ka deklaruar se gjykatat nuk po janë efikase në zgjidhjen e rasteve që shqetësojnë gazetarët.
Ajo tha se vetëm prej janarit të këtij viti deri më sot në AGK janë raportuar 8 raste të sulmeve, kërcënimit e dëmtimit të pronave ndaj gazetarëve.
“Vetëm gjatë këtyre 5 muajve ne në AGK kemi pranuar 8 raste të kërcënimeve, sulmeve fizike dhe dëmtimit të pronës së gazetarëve. Për të gjitha këto raste janë informuar organet e sigurisë dhe hetuesisë, mirëpo gjykatat nuk është se po tregohen shumë efikase për të marrë vendime konkrete. 5 prej tyre janë raste të kërcënimeve, një rast është i dëmtimit të pronës dhe një rast është i sulmit fizik ndaj njërit prej fotoreporterëve në Veri të Kosovës”.
“Kemi organizuar këtë protestë për të shfaqur edhe njëherë shqetësimet që kemi lidhur me kushtet e gazetarëve në Kosovë. Fatkeqësisht edhe sivjet Kosovën, Dita Botërore e Lirisë së Shprehjes nuk është që e gjen në gjendje të mirë, posaqërisht sa i përket sigurisë së gazetarëve.
Aliu shtoi se ka munguar gatishmëria e institucioneve për të adresuar çështjet që i shqetësojnë gazetarët.
“Ne kemi reaguar duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa në adresimin e këtyre çështjeve dhe ngritjen e akuzave ndaj sulmuesve. Fatkeqësisht nuk kemi gjetur bashkëpunim dhe gatishmëri nga institucionet për t’i adresuar këto çështje siç duhet”.
Sipas saj, hap pozitiv është emërimi i një prokurori për trajtimin e sulmeve dhe rasteve tjera kundër gazetarëve.
“Ne si AGK gjatë tërë vitit kemi pranuar ankesa të shumta nga kolegët tanë sa i përket pengesave në punën e tyre, dhe ato kanë qenë nga më të ndryshmet, si të pengimit në hyrje të institucioneve publike, në qasje në informacione dhe dokumente zyrtare, në ofendim, linçim publik, kërcënim me jetë, dhe më e keqja kemi pasur sulme fizike ndaj gazetarëve”.
“Kemi pasur raste kur ligjvënësit kanë keqpërdorur foltoren e Kuvendit për të linçuar apo kërcënuar gazetarët të cilët kanë raportuar për keqpërdorimet e zyrtarëve publik. Është shumë me rëndësi që institucionet e drejtësisë të merren me rastet kur gazetarët sulmohen apo kërcënohen nga persona të ndryshëm të cilët kanë për qëllim të pengojnë punën e tyre”.
Në protestë ka marrë pjesë edhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Serbë të Kosovës, Budimir Nicic.
Arsim Halili, gazetar dhe anëtar i bordit të AGK-së, ka thënë për Ekonomia Online se shqetësuese është se gazetarët janë pre e etiketimeve dhe sulmeve të ndryshme, të cilat sipas tij vijnë nga persona publikë, si kryeministri, kryeparlamentari dhe deputetë të Kuvendit.
“Ajo çka është shqetësuese kohëve të fundit është se gazetarët raportojnë për fenomenet që ndodhin në shoqëri zakonisht bëhen pre e etiketimeve dhe sulmeve të ndryshme, e fatkeqësia më e madhe është se prijës të këtyre etiketimeve dhe sulmeve janë kryesisht persona publik, që nga kryeministri, kryeparlamentari, përfaqësuesit e partive politike, qoftë edhe deputetë të Parlamentit të Kosovës, të cilët janë bartës të një fushate linçuese kundër gazetarëve për shkak se ata kryejnë punën e tyre dhe raportojnë në interes të publikut”.
Halili ka shtuar se kanë pasur disa kontakte me policinë dhe organet e drejtësisë, me të cilët vënë forma të bashkëpunimit. Sipas tij, ata kanë dhënë premtime se rastet e gazetarëve do të trajtohen me prioritet, por fatkeqësisht këto raste po zvarriten nëpër gjykata me vite të tëra dhe nuk po gjejnë rrugëzgjidhje.
“Zbatojeni Ligjin e Punës”, “Ndaloni linçimet”, ishin disa nga parullat me të cilat protestuan gazetarët.
Data e 3 majit është vendosur që të jetë Dita Botërore e Lirisë së Shtypit në vitin 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është tema e sivjetme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB): “Të mbajmë pushtetin nën kontroll: Media, Drejtësia dhe Sundimi i Ligjit” dhe rëndësia i kushtohet rolit të gjyqësorit të pavarur që siguron garanci ligjore për lirinë e shtypit dhe ndjekja ligjore e krimeve kundër gazetarëve.
Në Kosovë gazetarët e kanë shënuar këtë ditë me protestë. Vetëm në vitin e kaluar 27 gazetarë kosovarë janë sulmuar në mënyra të ndryshme.