Policia e Kosovës përmes një njoftimi tregon se ka depërtuar në Serbi dy persona të cilët u futën në mënyrë ilegale brenda territorit të Kosovës një ditë më parë.
Personat e identifikuar janë gazetarë: Sergei Belous me nënshtetësi ukrainase dhe Oksana Sazonova me nënshtetësi ruse.
“Veturën e drejtonte një shtetas serb i Kosovës (Z. M.) i lindur me (1972) nga Shtërpca, në veturën e të cilit kanë qenë edhe dy shtetas të huaj të cilët janë prezantuar si gazetarë, njëri i gjinisë mashkullore S.B. i lindur më (1991) në Ukrainë, ndërsa tjetri i gjinisë femrore S.O. e lindur më (1993) në Ukrainë, tani me nënshtetësi të Rusisë”, njofton Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës, respektivisht autoritetet e policisë kufitare nga drejtoria për migrim dhe të huaj ka trajtuar rastin duke ndërmarrë veprime të menjëhershme sipas procedurave të parapara dhe ligjeve të aplikueshme në vend. Personat e ndaluar janë derguar në qendrën e mbajtjes për të huaj për të vazhduar me procedura të mëtejme sipas ligjit.
“Pas verifikimeve të nevojshme është vërejt se përveç që këta persona nuk kanë vizë të RKS-së, nuk kanë të vendosur as vulën hyrëse e cila vendoset nga autoritetet tona policore në pikëkalimet kufitare. Përderisa në konsultim me prokurorët kompetentë shtetasit në fjalë janë trajtuar në pajtim me dispozitat e Ligjit për të huajt për qëndrim të paligjshëm sipas nenit 93 paragrafi 1 pika 1.1. dhe 1.2 si dhe dispozitave ndëshkimore të parapara në nenin 129 paragrafi 1 pika 1.2”, thuhet në komunikatë.
Pra, të njëjtëve, nga autoritetet kompetente policore të RKS-së iu është shqiptuar gjoba sipas ligjit dhe Urdhër Largimi me Forcë, me ndalesë rihyrjeje prej pesë (5) viteve, i cili urdhër do të ekzekutohet menjëherë duke i dërguar me përcjellje policore deri në pikëkalimin kufitar në Merdare, ku do të largohen për në Republikën e Serbisë.