Zyra për Media e Kuvendit të Kosovës ka bërë të ditur se gazetarët e medieve nuk do të lejohen të qëndrojnë në sallën e Kuvendit ku do të mbahet seanca.
Kjo pasi pjesa ku është e destinuar për media, Rregullorja lejon që aty të qëndrojnë vetëm kameramanët dhe fotoreporterët, por jo edhe gazetarët.
Njoftimin i plotë i Kuvendit:
“Të nderuar përfaqësues të mediave,
Rritja e numrit të mediave në Kosovë kohëve të fundit, ka ndikuar në rritjen e numrit të përfaqësuesve medial të akredituar në Kuvend, e rrjedhimisht edhe në interesimin e tyre për të ndjekur seancat plenare të Kuvendit dhe aktivitetet e tjera.
Kuvendi është i përkushtuar tu krijojë përfaqësuesve të mediave hapësirë, qasje dhe lehtësira sa më të mëdha në përcjelljen e aktiviteteve të tij, por gjithashtu, mban edhe përgjegjësi për sigurinë e tyre gjatë qëndrimit në Kuvend.
Galeria (ballkoni) i sallës së seancave plenare, është i destinuar për kameramanë dhe fotoreporterë, si dhe përfaqësues të institucioneve e organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare. Megjithatë, kohëve të fundit Kuvendi ka toleruar qëndrimin në këtë hapësirë edhe për gazetarët, edhe pse kjo nuk është e paraparë në Rregulloren për rendin dhe qasjen e mediave e të publikut në punën e Kuvendit.
Tani, ky numër gjithherë në rritje i përfaqësuesve të mediave në këtë hapësirë, rrezikon të tejkalojë peshën e paraparë mbajtëse të saj, duke paraqitur rrezik permanent për shembje dhe njëkohësisht duke rrezikuar jetët e të pranishmëve.
Prandaj, në funksion të evitimit të këtij rreziku, si dhe në respektim të rregullores, gazetarët e akredituar mund të ndjekin punimet e seancave të Kuvendit nga hapësira e destinuar për ta (prapa sallës së seancave plenare), nëpërmjet televizorit dhe transmetimit të drejtpërdrejtë në ueb-faqen e Kuvendit.
Në galerinë e sallës së mbledhjeve plenare, ndërkaq, do të qëndrojnë kameramanët dhe fotoreporterët”.