Gazetari gjerman me burime: Kosova ka shanse të mira të anëtarësohet në Këshillin e Evropës

Prishtinë | 22 Pri 2022 | 16:35 | Nga Ekonomia Online

Michael Martens, korrespodent i mediumit gjerman në ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’ [F.A.Z], ka thënë se Kosova ka mundësi të mira të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, pas largimit të Rusisë.

Martens për këto deklarata është thirrur në burime, duke paralajmëruar një artikull përgjatë ditës së nesërme për këto zhvillime.

“Rusia jashtë, Kosova brenda? Disa burime të besueshme konfirmojnë se Kosova “shumë shpejt” do të inicojë procesin e anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës. Matematikisht dhe politikisht, shanset për sukses konsiderohen të jenë të mira. Për më shumë, në edicionin e nesërm të FAZ”, ka deklaruar Martens në ‘Twitter’-in e tij.

Nga ekzekutivi, ditë më parë kanë thënë se ekzistojnë gjasa të mëdha të anëtarësimit të Kosovës në KE, mirëpo se procesi është i vështirë dhe duhet kaluar në disa faza.

“Ne kemi qenë duke punuar për Këshillin e Evropës, kjo punë është dinamizuar, se kur do të aplikojmë nuk është vendosur, por se do të aplikojmë kjo është e qartë…E di që cilësohet si një organizatë ku gjasat janë më të mëdha dhe kjo është e vërtet, por edhe vështirësitë janë të mëdha, pasi procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe kalon në disa faza dhe secila fazë ka vështirësitë e saja. Prandaj, ne me gjitha kapacitete tona por edhe ndihmën e akademikëve tanë, shoqërinë civile, jemi duke bashkëpunuar që t’i identifikojmë të gjitha këto vështirësi”, ka deklaruar zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti.

Kosova do të aplikojë këtë vit edhe për anëtarësim në BE. Kështu, të paktën, ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse nuk ka dhënë një datë për këtë.

Më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga Këshilli i Evropës për shkak të agresionit kundër Ukrainës. E drejta e veto-s nga Rusia llogaritej si një nga vështirësitë që Kosova të bëhej pjesë e këtij institucioni evropian.

Të ngjashme