Gazetari i FAZ sqaron pse e hoqi një pjesë të intervistës me Albin Kurtin, mohon se pati presion nga Prishtina

Prishtinë | 29 Nën 2022 | 18:25 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës nuk ka bërë kurrfarë intervenimi në tekstin e intervistës që kam publikuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë gazetari gjerman Michael Martens në një prononcim për Albanian Post.

Martens bëri lajm të madh para disa ditësh në Kosovë kur publikoi në Twitter informacionin se në intervistën që kishte pasur me Kurtin, ai tha se vendoi ta shtyjë vendimin për targa, pasi që ambasadori amerikan i dha informata që nuk i kishte pasur më herët për Veriun e Kosovës dhe potencialitetin e eskalimit.


Por, kur doli të hënën intervista e plotë në FAZ e Martens me Kurtin, pjesa e shpërndarë në Twitter nuk dukej gjëkundi.

“Ishte krejtësisht për çështje teknike”, shpjegon Martens për Albanian Post.

“Mu desh ta shkurtoj pak intervistën, sepse nuk mundeshim ta publikonim të plotë dhe i hoqa disa gjëra”, thotë ai.

Arsyeja përse kishte vendosur ta largonte bash atë pjesë thotë të jetë në mos-interesimin e publikut gjerman për çështjen.

“Unë i bëj intervistat për audiencë gjermane dhe jo për audiencë shqiptare dhe kur u përballa me idenë se duhet ta shkurtoj, atëherë vendosa ta heq atë pjesë sepse për audiencën gjermane nuk është çështje me rëndësi”.

Por, a kishte kërkesë nga Qeveria e Kosovës për ta hequr fiks atë pjesë, meqë pasi u publikua, Kurti u kritikua shumë?

“Jo”, thotë Martens.

“Dua ta sqaroj, po është hequr nga intervista, por jo me këmbënguljen e Kurtit. Ata, qeveria e Kosovës, janë profesionalë mjaftueshëm për ta ditur se kurrë nuk do t’i reagoja një kërkese të tillë. Madje, nëse do të më kontaktonin dhe do të më thoshin ‘a mund ta heqësh atë pjesë’, me qëllim do ta lija pikërisht të njëjtën. Por, nuk e kanë bërë. Absolutisht nuk ka pasur përfshirje të Kosovës, ishte krejtësisht për çështje teknike. S’ka pasur kurrfarë ndërhyrje nga Prishtina zyrtare”.

Atëherë, përse u hoq fiks ajo përgjigje, kur fillimisht ishte kategorizuar aq e rëndësishme sa që u parazgjodh edhe si paralajmërim në Twitter-in personal të gazetarit?

Arsyeja thotë Martens është dallimi i madh i audiencave.

“Në Twitter është tjetër audiencë sesa ajo në Gjermani”, sqaron.

“Ardenica ime në Twitter 90 për qind është nga rajoni i Ballkanit. Dhe e di nga eksperienca që diçka që do të kalonte krejtësisht pa u vërejtur në Gjermani, eksplodon në Twitter dhe anasjelltas”, pohon gazetari gjerman për Albanian Post.

Çka tha Kurti në intervistë?

Kurti, në intervistën e tij të fundit për gazetën prestigjioze gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka deklaruar se është i gatshëm të diskutojë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por jo si parakusht për bisedime, por si pjesë e diskutimit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke u bazuar në propozimin i cili së fundmi dinamizoi dialogun – propozimi franko-gjerman.

Sipas shefit të ekzekutivit deri më tani në kuadër të dialogut janë nënshkruar 33 marrëveshje, por Serbia është e interesuar vetëm për njërën nga këto – Asociacionin.

“Unë e pranoj që këto 33 marrëveshje ekzistojnë dhe jam i gatshëm t’i marrë përsipër të gjitha ato në bisedimet zyrtare për normalizim të marrëdhënieve mbi bazën e propozimit franko-gjerman në Bruksel. Por, Serbia do të dëshironte ta shkëpuste këtë marrëveshje dhe të shpërfillë 32 tjera, si dhe propozimin franko-gjerman. Unë nuk do të marrë pjesë në këtë”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se asnjë serb në Kosovë nuk i ka kërkuar atij deri më tani formimin e Asociacionit, por sipas tij, “është kërkesë ekskluzive e Serbisë, në këtë rast presidentit, Aleksandër Vuçiç”.

“Të drejtat e minoriteteve janë të rëndësishme në luftimin e dominimit të nacionalizmit. Por, Beogradi nuk qëndron për të drejtat e serbëve. Serbia dëshiron t’i territorializojë këto të drejta, dhe kjo është krejtësisht një gjë tjetër. Beogradi dëshiron që këto komunitete serbe të formojnë një bashkësi. Pranoj dhjetëra letra nga qytetarët serbë të vendit tonë çdo javë. Janë për gjëra të ndryshme, për punë, për funksionim të sundimit të ligjit e të tjera. Askush s’më shkruan”.

Kryeqeveritari kosovar më tej është shprehur i habitur se si Serbia edhe nuk e pranon Kosovën si shtet, e në anën tjetër kërkon nga ajo formimin e Asociacionit.

“Slogani serb është ‘ju nuk ekzistoni – por duam diçka nga ju’. Kështu nuk funksionon. Së dyti, kur kërkoni një gjë, gjithmonë duhet ta keni ndërmend se e njëjta gjë mund t’ju kërkohet edhe juve. Pakicat përbëjnë rreth tetë për qind të popullatës në Kosovës dhe 20 për qind të popullatës në Serbi. Serbia duhet të mendoj për parimin. Përveç kësaj, Gjykata jonë Kushtetuese e ka rrëzuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Kurti ka folur edhe për çështjen e targave.

Megjithatë, një darkordancë e tillë, sipas Kurtit, nuk ka të bëjë vetëm me situatën në Veri të vendit, por edhe me nevojën për të filluar diskutimin mbi marrëveshjen finale në kuadër të dialogut duke u bazuar në propozimin franko-gjerman.

“Ne kemi rënë dakord që të mos zbatojmë vendimin tonë për gjobitjen e drejtuesve të automjeteve me targa të paligjshme serbe. Serbia ka rënë dakord të ndalojë lëshimin e targave të trashëguara nga regjimi i Slobodan Millosheviç’it”.

“Këtë e bëmë jo vetëm për të de-përshkallëzuar, por edhe për të krijuar një mundësi për fillimin e shpejtë të negociatave për një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo duhet të përfundojnë përpara pranverës 2023. Ky ishte qëllimi i vërtetë i kompromisit”, ka shtuar ai.

Të ngjashme