Gazetari kosovar rrëfen se si shpëtuan një grup shqiptarësh që ishin në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi në Vjenë

Prishtinë | 03 Nën 2020 | 12:40 | Nga Ekonomia Online

Kryeqyteti i Austrisë, Vjena u tronditë të hënën në mbrëmje nga sulmet terroriste. E tre kilometra afër vendit ku dolën terroristët e armatosur kishte edhe shqiptarë që ishin në një kinema.

Aty po shfaqej një film në kuadër të “Javës së Kulturës Shqiptare në Austri”.

Prezent aty ishte edhe gazetari i Albinfo.at, Arben Gjinaj i cili ka treguar për gazetën Objektiv për momentin kur kishin dëgjuar se në qytet kishte të shtëna me armë zjarri.

“Në momentin e shkëmbimit të zjarrit, një grup shqiptaresh por edhe miq austriak afro 80 veta ishim në njërën nga kinematë e Vjenës. Disa prej nesh e morëm lajmin gjatë kohës sa ishim brenda por nuk dëshironim te bënim panik deri sa të përfundon filmi. Ne ishim afër tre kilometra larg nga vendi i ngjarjes. Pasi kemi dal nga salla kemi parë një kaos në qytet, alarme policie dhe ambulanca të shumta. Ishte një panik tek të gjithë qytetarët”, tha Gjinaj.

Sipas Gjinajt, terroristët ishin shpërndarë në shumë pika brenda qytetit të Vjenës, andaj ishin detyruar që të kthehen në shtëpi.

“Policia e Vjenës kishte njoftuar se atentatorët janë në 6 pika, frika e qytetarëve ishte se përpos qendrë, mund të jenë edhe vendet tjera që ishin cak i sulmeve të tyre. Prandaj ne si komunitet në ato momente ishim të detyruar të bënim çmos që të sigurohemi për strehimin e sigurtë të secilit prej pjesëmarrësve. Metrot ndaluan qarkullimin, qytetarët iknin sa më shpejt në vendin më të afërt për të gjete strehim. Përfundimisht dikush me veturë personale e dikush me taksi, arritëm te kthehemi të gjithë shendosh e mire neper shtëpitë tona”, theksoi Gjinaj.

E të martën, kryeqyteti austriak, Gjinaj thotë se është i heshtur dhe i trishtuar pasi është ndërprerë dhe mësimi nëpër shkolla dhe po lëvizin vetëm ata që kanë për të blerë gjera të nevojshme.

“Sot Vjena është ndryshe nga ditët tjera. Nuk është Vjena e gjallëruar ashtu sikur jemi mësuar me e pa, është e heshtur, e zbehur, ka pak njerëz qe lëvizin, vetëm ata qe e kane detyrim te shkojnë ne pune apo për të blerë gjerat e nevojshme. Për shkak te këtij rasti, sot nuk ka vijuar mësimi shkollor. Ndoshta mungesa e njerëzve ne rruge është edhe nga shkaku i masave të ndërmarra nga qeveria austriake të cilat sot kanë hyre në fuqi, por unë besoj më shumë është nga frika e rastit të mbrëmshëm”, përfundoi Gjinaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme