Soni Malaj momentalisht është në kulmin e karrierës dhe pavarësisht vitet që kanë ikur, në këtë periudhë, ajo i konsideron thjesht numra, sepse e ndien veten më energjike se kurrë, madje edhe më shumë se 20 vjet më parë, kur nisi karrierën muzikore.
E ftuar në Top Magazine për të promovuar këngën e re “Loca”, Soni ka rrëfyer edhe për suksesin që po përjeton aktualisht në karrierë: “Është e çuditshme se sa energji kam unë tani, madje tani ndihem e plotësuar profesionalisht për të startuar dhe më vjen keq që vitet e mia janë thjesht ca numra, sepse unë ndihem siç kur kam nisur në fillim, thjeshtë më e plotësuar…” rrëfen ajo.
Megjithatë të gjithë e dinë që kjo dozë energjie është edhe për shkak të lidhjes së saj të re me Klevin, i cili e shoqëron në çdo event muzikor. E pyetur nga Albani nëse këtë dozë energjie të shtuar e ka edhe nga partneri, ajo pohon duke thënë se edhe ai është një plus.
Por Klevi nuk është pranë saj vetëm për një dozë energjie më shumë. Si një partner ideal, ai është në çdo event muzikor të sajin, madje në backstage është i kujdesshëm për çdo detaj. Albana zbulon se këtë Klevi ka bërë edhe sonte: “Jo vetëm që e ka shoqëruar Sonin sonte, por në backastage ai mbante çantat, rrobat, e përkëdhelte dhe momentalisht është në studio… “
Por gazetari i Top Show e ka ngacmuar duke e pyetur nëse ai e shoqëronte se nuk kishte besim apo cfarë por Soni e ka kaluar me buzëqeshje.