Gazetari vullnetar i vaksinës

Prishtinë | 17 Nën 2020 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Kur gazetari hulumtues Steve Stecklow u tha miqve se doli vullnetar për ta marrë vaksinën eksperimentale ndaj koronavirusit, donte ta dinte arsyen se përse kishte vendosur kështu.

Ish-cimeri ishte i shqetësuar për rreziqet afatgjata që i kanoseshin dhe i tha se vendimi është lojë me jetën.

Dëshira për ta marrë vaksinën i erdhi në muajin korrik kur qeveria britanike nisi të kërkonte vullnetarë për testimin e vaksinave potenciale.

Në muajin qershor, shoku i ngushtë i Stecklowit kishte vdekur nga virusi.

Duke dashur të mësojë më shumë për testimet, gazetari plotësoi formularin në internet.

Në fund të shtatorit i erdhi njoftimi se ishte në mesin e 250 mijë testuesve të vaksinës. Më 1 tetor u ftua që të merrte vaksinën nga një kompani amerikane.

Gazetari i Reutersit mori pjesë në testimet e dyta të vaksinës, pasi askush nuk donte të merrte më pjesë pas testimeve të para.

“Bëra disa hulumtime për këtë vaksinë. Dukej se ishte e sigurt. Ishte testuar më herët te 100 persona dhe efekti anësor ishte se një i testuar ishte sëmurur për një ditë. Simptomat i kishte të buta, por askush nuk donte ta merrte vaksinën e dytë. Më shumë e mora për arsye se herët apo vonë do të izolohesha dhe mendova se ky ishte shansi im. Përveçse e bëra për gazetari, isha edhe pak kurioz”, ka thënë ai.

Rezultatet e para të fazës testuese kanë treguar se nuk ka efekte anësore te vullnetarët e vaksinës, por gazetari amerikan ishte i shqetësuar për shkuarjet e kohëpaskohshme në spital.

“Të jem i sinqertë, më shumë frikësohesha të shkoja në spital për të marrë vaksinën dhe të kthehesha me taksi, sepse si shumë njerëz nuk kam qenë në restorante dhe kafene qe tetë muaj. Isha aq i izoluar sa bashkëshortja nisi të më quante si i burgosuri i saj. Sa i përket vaksinës së Novavaks, ka të njëjtën teknologji si vaksinat kundër gripit, të cilat i kam marrë tash e disa dekada dhe kurrë nuk kam pasur probleme”, ka deklaruar Stecklow.

Mirëpo gazetari ishte i zhgënjyer kur i thanë se do të monitorohej për një vit dhe se nuk do të mund ta merrte vaksinën e vërtetë nëse ajo do të miratohej.

Ata që kanë marrë pjesë në këtë testim të vaksinës nuk mund të vaksinohen me një tjetër, sepse mund të kenë reaksione malinje.

Por, gjërat po shkojnë mirë për testimet e vaksinës Novavax, e cila, sipas gazetarit Stecklow, po zgjerohet në Britani të Madhe dhe tani ka marrë dritën jeshile të testimeve edhe në Shtetet e Bashkuara./KTV

Të ngjashme