Gazetaria hulumtuese në zhdukje e sipër, shkak kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve

Prishtinë | 03 Maj 2018 | 11:46 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti i Medias së Kosovës, në bashkëpunim me Kolegjin UBT, kanë mbajtur konferencë me temën “Liria e Shprehjes në Mediat e Kosovës”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shprehjes.

Kryetari i Bordit të Institutit të Medias në Kosovë, Fazli Veliu tha se duke u bazuar në raportet e fundit ku flitet për lirinë e shprehjes, asnjë gazetar në vend nuk është i kënaqur me këto rezultate. Fazliu tha se gaztaria hulumtuese në Kosovë është në zhdukje e sipër, pasi që frika nga kërcënimet dhe sulmet e ndryshme që u janë bërë gazetarëve kohëve të fundit dhe mosfunksionimi i sistemit gjyqësor i bën ata të mos krijojnë gazetari investigative, raporton Ekonomia Online.

“Në Kosovë nuk ka kushte të favorshme për ta ushtruar profesionin e gazetarisë dhe gazetarët nuk janë të sigurt, e sidomos ata të cilët bëjnë gazetari hulumtuese ku vetëm vitin e fundit 27 gazetarë janë sulumuar dhe ata druajnë nga mosefikasiteti i gjykatave në Kosovë dhe për këtë arsye temat hulumtuese nuk i preferojnë”, tha Fazliu.

Fazliu tha se sipas anketimeve që janë bërë nga ana e studentëve të UBT-së, shumica prej qytetarëve infomimin kryesor e marrin nga mediat online dhe në Kosovë ka shumë të tilla, por ato nuk i kontrollon askush dhe disa prej tyre shpërndajnë lajme të rreme dhe kështu dezinformohet publiku, raporton EO.

“Në Kosovë shumë pronarë të kompanive të fuqishme mediale janë të ndikuara nga politika dhe janë në varësi të politikës dhe kjo po reflekton në të bërit gazetari dhe në shumë raste kjo pengohet nga eprorët e vetë”, shtoi Fazliu.

Ndërsa, drejtori i kolegjit UBT, Edmond Hajrizi u shpreh i kënaqur për këtë temë që është duke u zhvilluar në këtë kolegj, pikërisht në ditën e lirisë së shprehjes për të diskutuar se sa kanë liri të shprehjes gazetarët dhe mediumet në Kosovë dhe falënderoi panelistët dhe studentët e pranishëm në këtë konferencë.

Anëtari i bordit në Institutin e Medias së Kosovës, Nexhmedin Spahiu tha se liria e shprehjes në Kosovë në krahasim me të kaluarën është rritur, por prapë ka probleme dhe se, sipas tij, gazetaria hulumtuese nuk është duke u zhvilluar për arsye të sistemit gjyqësor i cili është i kapur dhe sistemi juridik nuk garanton për mbrojtje nëse dikush prej gazetarëve sulmohet.

“Gazetarët dhe mediumet frikësohen të merren me tema hulumtuese që prekin dhe tregojnë një korrupsion të caktuar ose që atakojnë konkretisht me fakte një dukuri që dëmton publikun dhe shoqërinë”, tha Spahiu.

“Mosedukimi adekuat i gazetarëve, ne kemi fakultete të gazetarisë nga Univeristeti i Prishtinës e deri në kolegje private dhe numri i gazetarëve që prodhohen në Kosovë është jashtëzakonisht i madh, por cilësia që po ofrohet është i nivelit të ulët sepse shembull vjen gazetari që ka diplomuar dhe ka marrë master në gazetari dhe njohuritë e tij elementare janë të cekëta”, shtoi Spahiu.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi tha se sipas raportit të progresit që është publikuar ditë më parë, janë ngritur disa shqetësime në lidhje me mediumet në Kosovë ku disa prej tyre kanë qenë financimi i RTK-së, kërcënimet e gazetarëve, digjitalizimi në Kosovë etj. Gashi tha se zyra e kryeministrit që nga fillimi i punës së tyre është duke u munduar të jetë sa më transparente dhe të gjitha gazetarët të cilët bëjnë kerkesa zyrtare për të qenë të qasshëm në dokumente zyrtare atyre iu është dhënë kjo e drejtë.

“Ne kemi problemet tona, sepse nëse një zyrë e informimit të kryeministrit të Shqipërisë i ka 30 persona duke punuar, ne jemi vetëm 4 dhe në ditë kemi diku rreth 70 telefonata dhe 60 emaile”, shtoi Gashi.

Gashi tha se që nga koha janë pjesë e qeverisë kanë qenë 27 kërkesa për të pasur qasje në dokumente zyrtare, 26 prej tyre kanë marrë përgjigje të plotë dhe vetëm 1 ka marrë përgjigje të pjesshme.

Analisti, Behlul Beqaj tha se roli i mediave është vendimtar në krijimin e vetëdijes shoqërore dhe politike. Ai tha se është iluzion nëse mendojmë se ka media të pavarura dhe profesionale në Kosovë, sepse çështja e bordeve mediale e tregon më së miri ndikimin politik.

“Është krijuar varshmërja në mes bizneseve dhe të mediave sepse asnjë medium nuk mundet me u favorizu nga dëgjuesi apo shikuesi pa pasur asnjë financim dhe një shembull i tillë mund të merret në rastin e Postës e cila po shkon në degradim, mirëpo Posta ka reklama në te gjitha mediumet”, tha Beqaj.

Të ngjashme