Bajram Gecaj, këshilltari i kryeministrit, Isa Mustafa, dhe zëvendësministër në Qeverinë e Kosovës, e ka quajtur zëdhënësin e Komunës së Prishtinës, Adonis Tahirin, “Pinoku* i Lëvizjes Vetëvendosje”.
Gecaj këtë e ka bërë duke thënë se Tahiri ka gënjyer kur ka thënë se Gecaj ka kërkuar vetëm njëherë takim me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmetin dhe atë vetëm javën e kaluar.
“Mbrojtja më e mirë thonë është sulmi. Si duket këtë e ka pasur mu në mendje edhe ky pinoku i Lëvizjes Anarkiste të Vetëvendosjes (LAV), Adonis Tahiri, kur më ka akuzuar, me një fjalor sa banal aq edhe primitiv, se unë nuk paskam thënë të vërtetën”, ka shkruar Gecaj.
“Më poshtë shihni vetëm një nga kërkesat bërë Kryetarit të Prishtinës për takim, dhe e cila demanton plotësisht ‘të vërtetën’ e pinokut të LAV i cili publikisht dje theksoi se Shpend Ahmeti ishte kontaktuar nga MAPL vetëm një javë më herët”.
“From: Pranvera Gashi
Sent: Tuesday, October 18, 2016 10:16 AM
To: Shpend Ahmeti
Cc: Fitore Pacolli; Diellza Kelmendi; Edona Bislimi; Bajram Gecaj; Rozafa Ukimeraj; Flutura Hoxha; Xhevat Tafa; Blerim Hasani; Saranda Lokaj
Subject: Organizimi i takimit mes MAPL-së dhe Kryetarit të Komunës së Prishtinës
Të nderuar/a,
Po ju shkruajmë në emër të znj. Rozafa Ukimeraj, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), për të ju ftuar në një takim të përbashkët pune.
Temë e takimit do të jetë: Ligji i Kryeqytetit të Republikës së Kosovës-Prishtinës.
Në takim nga MAPL-ja do të marrin pjesë: Zëvendësministri z. Bajram Gecaj, Sekretarja e Përgjithshme znj. Rozafa Ukimeraj, u.d. e Udhëheqësit të Departamentit Ligjor znj. Flutura Hoxha si dhe Udhëheqësi i Grupit Punues për ligjin z. Xhevat Tafa.
Takimi propozojmë që të realizohet me datë, 20 (ditë e enjte) Tetor.2016 në ora 14:30, në zyrat e Juaja.
Ju lutemi që të na njoftoni nëse takimi mund të realizohet në kohën e propozuar nga ne.
Me respekt,
Pranvera Gashi”
*Shënim: Pinoku, ose në origjinal “Pinocchio” është personazhi i një filmi të animuar të prodhuar nga “Walt Disney Production” në vitin 1940 dhe është i bazuar në novelën italiane për fëmijë “Aventurat e Pinocchio-s”, të Carlo Collodit.
Pinoku është një fëmijë prej druri i ardhur në jetë nga një zanë. Atij i premtohet se nëse punon fort atëherë do të bëhet djalë prej së vërteti. Ndërsa, sa herë që gënjen atij i rritet hunda.