Gecaj PDK-së: Zgjedhjet po i kërkoni nga inati dhe dëshira për kontroll

Prishtinë | 24 Pri 2017 | 14:32 | Nga

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur, Rexhep Hotit zëvendësministër i Kulturës i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës pasi ky i fundit ka thënë se zgjedhjet janë të pashmangshme dhe se për këtë do të merret shpejt një vendim me partnerët e koalicionit.
Gecaj në një postim në rrjetin social Facebook, i është përgjigjur Hotit lidhur me deklaratat e tija për zgjedhjet e parakohshme duke i thënë se koalicioni qeverisës ka një marrëveshje për qeverisje. Sipas tij mosrespektimi i marrëveshjeve dërgon sinjale negative dhe brengosëse për marrëveshjet në të ardhmen.

“… Z. Hoti sigurisht është i vetëdijshëm se ky koalicion qeverisës ka një marrëveshje për qeverisje, dhe se partitë serioze dhe institucionaliste respektojnë marrëveshjet, posaçërisht kur vetë kanë kërkuar dhe insistuar për një të tillë”, ka shkruar Gecaj.

Postimi i plotë i Gecajt:

Derisa opozita që nga dita e parë ka shtyrë opsionin e zgjedhjeve të parakohshme, madje duke përdorur edhe mjete nga më të dhunshmet, kohëve të fundit na paraqiten zëra të tillë edhe nga eksponentë të koalicionit qeverisës; dikush për arsye e inate personale e dikush tjetër edhe nga nevoja dhe/apo dëshira e kontrollimit absolut të qeverisjes në vend. Janë këto elementë të cilat shpalosen të përpunuara edhe në intervistën e zëvendësministrit Rexhep Hoti, duke e katapultuar këtë me një sihariq politik (pak herët besoi unë) “epokën e Veselit kryeministër”. Z. Hoti sigurisht është i vetëdijshëm se ky koalicion qeverisës ka një marrëveshje për qeverisje, dhe se partitë serioze dhe institucionaliste respektojnë marrëveshjet, posaçërisht kur vetë kanë kërkuar dhe insistuar për një të tillë. Mosrespektimi i marrëveshjeve dërgon sinjale negative dhe brengosëse për marrëveshjet në të ardhmen, dhe atë jo vetëm tek partia jonë.

Fatkeqësia është se opozita, për arsye të pastra politike, çështjen e demarkacionit dhe jo vetëm e ka shndërruar në kauzë të interesit parcial, ndërsa tani edhe zëra të tillë që vijnë nga partitë qeverisëse shprehin vullnet të palegjitimuar dhe dëshirë të re politike ti bashkohen këtij kursi me plotë trillime opozitare. Këtu nuk ka parimësi politike këtu ka hipokrizi gërshetuar me kalkulime përfituese.
Si nga pozita ashtu edhe nga opozita, ata që thonë se kjo qeveri nuk “mundi të marr vendime të mëdha e të vështira”, sikur kanë harruar si ka funksionuar qeveria pararendëse e cila ka mbijetuar edhe përkundër faktit se në dy vitet e fundit të saj nuk ka mund asnjëherë të siguroi 61 votat e nevojshme qeverisëse. Ka mundur sepse, ka pasur opozitë partinë instituicionaliste, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e cila asnjëherë dhe në asnjë rast nuk i ka shndërrua çështjet e rëndësisë nacional në kauza politike të interesit parcial. E këtë duhet të mos e harroj asnjë qytetarë i Kosovës, sidomos kur ndodhet para kutisë së votimit. Kjo quhet shtetndërtim, dhe kjo është LDK-ja. Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian kërkon që edhe partitë tjera të mësojnë dhe të marrin shembull nga kjo qasje institucionale e LDK-së, sepse vetëm kështu mund të avancojmë drejt familjes evro-atlantike. Perceptimi se LDK i frikësohet zgjedhjeve është sa i gabuar aq edhe paragjykues, dhe tash e sa kohë bëhet me cinizëm dhe vetëm për të dëmtuar. Megjithatë, zgjedhjet e parakohshme më së shumti do t’i hynin në pune opozitës së dhunshme dhe jo demokratike. Prandaj ne duhet të mos harrojmë se kemi përgjegjësi para interesit të vendit tonë dhe qytetarëve tanë të mos i ikim përgjegjësive por të vazhdojmë me konsekuencë demokratike dhe pa përjashtime anti-kooperuese.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme