Parkut të Gërmisë në Prishtinë do t’i shtohet edhe “Parku i Aventurave”. Kjo pasi Komuna e Prishtinës dhe “Sport Marketing”, të premten kanë nënshkruar një kontratë, raporton Ekonomia Online.
Blerta Basholli, drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, tha se ky është një prej projekteve më të rëndësishme.
“Sot po nënshkruajmë produktin tonë më të ri për Parkun e Aventurave në Parkun e Gërmisë. Ky park ngërthen në vete 67 elemente të ndryshme në tokë në standardë të larta të sigurisë. Natyrisht për këtë vendim është bërë një studim i fizibilitetit. Parqet të tilla ka edhe ne Slloveni. Njoftoj se parku do menaxhohet nga Komuna e Prishtinës dhe Swis Contact. Shpresoj që të bëjmë bashkëpunimin me Sport Marketing drejt realizimit të këtij projekti”.
Shpend Ahmeti kryetar i Prishtinës, ka thënë se “Parku i Aventurave”, do të rrisë numrin e vizitorëve në Germi. Ai ka thënë se në këtë park do të investohen mbi 200 mijë euro.
” Po e prezantojmë këtë projekt në bashkëpunim me SC. Falenderoj kompaninë Sport Marketing. Ne e dimë që Germa është mushkëritë e Prishtinës. Ne kemi pasur në fillim rreth 800 hektar kurse tani Germia i ka rreth 2000 hektar që i kemi bërë pejsazh të mbrojtur. Parqet s’mbrohet duke i rrethakuar me tele por duke bërë interaksione të ndryshme. Germia është për ne ecje e shëtitje. Ku ka më mirë që shtigje të tilla me i ndërtuar në natyrën e Gërmisë. Parku i Avanturave do të shtoj numrin e vizitorëve. Ne po e bashkëfinancojmë por vlera më e madhe i shkon Swiss Contactit. Kompania Sllovene do ta ndërtojnë e jona do ta menaxhoj. Do investohen mbi 200 mijë euro”, tha Ahmeti.
Argjentina Grazhdani përfaqësuese e SDC, tha se ky do të jetë një park interesant duke shtuar se si donatorë turizmin e qëndrueshëm e kanë në thelb.
” Deri më sot SDC ka ndihmuar që 7 projekte të mëdha e 3 të vogla. Komunës së Prishtinës i urojmë fat që ky të jetë një destinacion i rëndësishëm për të gjithë qytetarët. Kosovës t’i shtohet një park si ky interesat jo vetëm për fëmijë por edhe për të rritur që të kalojnë kohën në hapësirë. Ju siguroj që kontraktues i Qeverisë Zvicerane turizmin e qëndrueshëm e kemi në thelb”, tha ajo.
Liridon Llapashtica N.P Sport Marketing, tha se ky projekt do të menaxhohet në mënyrën më të mirë, për t’iu mundësuar qytetarëve një vend tjetër për argëtim në Gërmi.
“Ky projekt do të jetësohet dhe do të jetë në të mirën e qytetarëve. Gjithë punëtorëve që kemi ne iu është kthyer motivi që në këtë mandat keni kthyer sytë nga ne dhe po forcohet ndërmarrja. Ky projekt përfaqëson të ardhmen e qytetit të fëmijëve tanë. Zotohem dhe garantoj që do ta menaxhojmë në mënyrën më të mirë që qytetarët kur të vizitojnë Greminë të kenë një mundësi shtesë ku të argëtohen e të kenë një vend rekreacioni”, tha ai.