Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në konsultimin publik për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gërvalla theksoi se në Kosovë askush nuk është mbi ligjin, duke ftuar akterët institucionalë, zyrtarët e sistemit të drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertët e fushës që të kontribuojnë me komente dhe sugjerime në procesin e konsultimit publik.
“Në Republikën e Kosovës, askush, bash askush, nuk qëndron mbi ligjin”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, konsultimi publik për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është tashmë i hapur dhe do të zgjasë 15 ditë pune, deri më 26 qershor 2026.
Dokumenti është publikuar në platformën zyrtare të konsultimeve publike të Qeverisë së Kosovës, ku palët e interesuara mund të paraqesin komentet dhe propozimet e tyre për përmbajtjen e projektligjit.
Gërvalla e cilësoi këtë proces si një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër pasurisë së pajustifikueshme, duke përsëritur mesazhin se para ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë.