Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla dhe homologu i saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, kanë kundërshtuar çfarëdo ideje për ndryshim të kufijve në Ballkan, duke e cilësuar edhe si të rrezikshme, raporton Ekonomia Online.
Ata këto komente i kanë bërë në konferencën e përbashkët për medie pas takimit që kanë pasur në Prishtinë.
Gërvalla ka thënë që është shqetësuese vetëm përmendja e atyre tezave.
“Është e rrezikshme kur jepen dhe bëhen tendenca të tilla, me ndarje dhe vija etnike, andaj për neve është shumë e qartë që për neve nuk ka rëndësi ai dokument, por është shumë e rrezikshme sepse nxit konflikte”, tha ajo.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se nuk duhet rënë në kurthe të tilla duke ju referuar një dokumenti i cili thuhej së ishte përgatitur nga kryeministri i Sllovenisë, i cili prashite ndryshim të kufijve në Ballkan, por që më vonë ishte mohuar.
“Ne nuk duhet të biem pre e atij kurthi, sepse ajo gjë është demantuar dhe nuk mendoj që është në rregull që këtë dokument ta lidhim me Slloveninë. Alternativa e vetme është zgjerimi i NATO-s për paqe”, tha Osmani.
Ministri Osmani i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, tha se ata mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Maqedonia mbështet përpjekjet dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, andaj dialogu dhe suksesi i tij duhet të jetë me njohjen e Kosovës dhe bashkëpunimit në mes dy shteteve”, tha ai.
Ai foli edhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ku tha se ato janë të mira dhe se ato do të thellohen edhe në të ardhmen.
“Më gëzon fakti për bashkëpunimin e dy shteteve sovrane dhe demokratike, për të krijuar miqësi të thellë dhe të përhershme sepse kjo është një mundësi e mirë për dy vendet, andaj sot biseduam për shumë çështje konkrete dhe fokusi ishte për tema ekonomike, lidhje të forcuara infrastrukture, bashkëpunimi në lehtësimin e transportit të mallrave e shumë tjera. Ne kemi një bashkëpunim te thellë tregtar. Tregova edhe për punët e autostradës, dhe lehtësimit për qarkullimin kufitar ku jemi dakorduar që ti japim dinamikë të re këtij projekti,por edhe për çështjet e karakterit ndërkombëtar. Biseduam edhe për bashkëpunimin rajonal” , tha ai.
Gërvalla tha se raportet në mes dy vendeve janë shembull i bashkëpunimi rajonal, duke thënë se dy vendet kanë të njëjtin qëllim dhe ai është anëtarësimi në BE.
“Është një ndër partnerët strategjik, mu numërojmë me rreth 30 marrëveshje që kemi lidhur bashkërisht, dhe lirisht mund të themi qe këto dy shtete janë model i bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë, duke dhënë një model të mirë të vendeve të rajonit. Kosova dhe Maqedonia janë duke lëvizur drejt të njëjtit caku, që është integrimi në BE”, tha ministrja Gërvalla.