Gërvalla: Forcimi i drejtësisë dhe besimit institucional, parakusht për një Kosovë më të fuqishme

Prishtinë | 08 Kor 2026 | 17:06 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim një delegacion amerikan të kryesuar nga Robert “Bobby” Kasprzak, Roy Miller dhe Theodore Robert Maloney, me të cilët ka diskutuar për rëndësinë e sundimit të ligjit, reformave në drejtësi dhe rolit të institucioneve në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Gërvalla theksoi se një sistem drejtësie efikas, profesional, i besueshëm dhe me integritet përbën një nga shtyllat kryesore të një shteti demokratik, duke krijuar siguri juridike për qytetarët, bizneset dhe investitorët ndërkombëtarë.

“Reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe fuqizimi i transparencës dhe llogaridhënies institucionale, mbeten angazhime të vazhdueshme të Republikës së Kosovës, për të garantuar një sistem ku ligji zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Ndër të tjera gjatë bashkëbisedimit theksova se Kosova, me fuqinë e saj të re punëtore, orientimin e qartë euroatlantik dhe zhvillimin e sektorëve me potencial të lartë, ofron mundësi të rëndësishme për partneritete dhe investime afatgjata”, ka thënë Gërvalla.

Ndërsa ka thënë se ky shtet e kjo Republikë është më se e përkushtuar në forcimin e institucioneve të saj dhe avancimin e një klime të favorshme për investime, përmes reformave të vazhdueshme, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe partneriteteve ndërkombëtare që kontribuojnë në zhvillimin dhe fuqizimin e vendit.

Të ngjashme