Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka marrë pjesë në një mbrëmje Teutash për Ditën Ndërkombëtare të Gruas në Zvicër për fuqizimin e gruas
Ajo përmes një njoftimi ka bërë të ditur se pjesë e mbrëmjes ishin edhe figura tjera publike, ku rrëfyen histori suksesi.
Bashkë me ministren ishin edhe modelja e njohur, Emina Cunmulaj edhe Vera Ora, specialiste e psikiatrisë, ku treguan përvojat e tyre.
Njoftimi i plotë:
Fuqizimi i gruas është fuqizim i vetë shoqërisë. Një mbrëmje TEUTASH, forcë, elegancë e përfaqësim dinjitoz i zërit të grave në zemër të Zvicrës.
Mbrëmja e djeshme solli histori që frymëzojnë. Gra që ndanë histori, që treguan se sa shumë mund të bëhet kur ka solidaritet dhe mundësi të barabarta. Gratë sjellin perspektiva, ndjeshmëri dhe zgjidhje që e pasurojnë shoqërinë. Fuqizimi i tyre nuk nënkupton imitimin e roleve të burrave, por njohjen dhe vlerësimin e kontributit të tyre unik, të pazëvendësueshëm.
Prania e rrëfimi emocionues i suksesit nga Emina Cunmulaj dhe angazhimi i përditshëm i saj filantropik ndërgjegjëson se bamirësia e solidariteti nuk është gjest simbolik, por përgjegjësi që prek në palcë jetët e shumë njerëzve.
Shembulli i Dr. Vera Ora, specialiste e psikiatrisë, hap një tjetër dimension që shpesh neglizhohet në shoqërinë tonë, shëndetin mendor. Gratë përballen me presione të shumëfishta shoqërore profesionale dhe familjare, dhe kujdesi për mirëqenien psikologjike nuk është shenjë dobësie. Përkundrazi, është kusht për autonomi dhe për jetë të plotë. I falënderoj nga zemra për punën e tyre të palodhshme në shërbim të kombit e shoqërisë sonë.
Nën organizimin e Swissalbs Women në Cyrih dhe znj. Arbela Statovci, mbrëmja gala TEUTAT u shndërrua në një platformë që jo vetëm feston arritjet e grave, por edhe fuqizon vizionin për një shoqëri më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse. Në këtë proces dua të përmend dhe falënderoj kontributin e znj. Kadire Tahiraj dhe punën e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave, që dëshmon se mbrojtja e të drejtave të grave nuk është abstraksion, por angazhim konkret për siguri, dinjitet e më shumë mundësi.
Në fund, dimensioni kulturor i mbrëmjes u pasurua nga Ansambli Trojet, me djem e vajza të talentuar që përfaqësojnë shpirtin e rinisë sonë.
Të gjitha grave të forta, të hekurta e të pathyeshme, kudo në botë, gëzuar 8 Marsin.
Një nga 365 ditët në të cilat ju çdo ditë shkëlqeni. Kjo është fuqia e vërtetë e barazisë, dhe pasuria më e çmuar e një shoqërie që synon drejtësi e përparim.