Gërvalla: Qytetarët e Kosovës padrejtësisht kanë pritur gjatë për liberalizimin e vizave

Prishtinë | 19 Pri 2023 | 18:28 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz ka folur pas miratimit të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga Parlamenti Evropian.

Gërvalla ka thënë që ky vendim do të ishte i pamundur pa vendimin e qytetarëve dy vjet më parë për të ndjekur reforma të thella.

“Pa vendimin e qytetarëve të Kosovës dy vjet më parë për të ndjekur pa kompromis rrugën e shtetit ligjor dhe të demokracisë, të reformave të thella, një vendim si ky i sotmi do të kishte qenë i pamundur”, tha Gërvalla në një videoadresim.

Tutje, ajo tha se është pritur padrejtësisht për këtë vendim duke thënë që gjatë kësaj kohe është punuar intensivisht.

“Sot është një ditë e mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës. Padrejtësisht kanë pritur tepër gjatë deri në liberalizimin e vizave por njëkohësisht kohën e kemi shfrytëzuar për të punaur intensivisht me qëllim që të largohen edhe barrikadat e fundit dhe skeptikët e fundit të binden, që qytetarët e Republikës së Kosovës sit ë gjithë qytetarët e tjerë të rajonit të mund të qarkullojnë të lirë brenda zonës Shengen”, ka thënë kryediplomatja.

Kjo, sipas Gërvallës, do të thotë që ata që dëshirojnë t’i vizitojnë familjarët, studentët dhe shkencëtarët, mund të shkojnë në vendet që zgjedhin.

“Kjo do të thotë që të gjitha familjet të cilat kanë të afërmit e tyre jashtë vendit do të munden të udhëtojnë pa viza dhe t’i vizitojnë familjarët e tyre, kjo do të thotë që studentët, bizneset, shkencëtarët, të gjithë të tjerët mund të shkojnë në vendet të cilat ata zgjedhin”, tha Gërvalla.

Po ashtu, ministrja Gërvalla falënderoi të gjithë ata të cilët kanë kontribuar për këtë vendim ashtu si dhe aleatët dhe institucionet në Kosovë.

Të ngjashme