Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në kuadër të vizitës së saj në Luksemburg pati një bisedë të shkëlqyer me kolegun e saj, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Luksemburgut, Jean Asselborn. Gjatë darkës së punës, të shtruar nga kryediplomati i Luksemburgut, homologët biseduan rreth një game të gjerë temash bilaterale por edhe çështje evropiane.
Pas takimit, ministrja Gërvalla deklaroi se është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
“Luksemburgu vazhdon të mbështesë udhëtimin pa viza për të gjithë qytetarët e Kosovës në zonën Shengen. Luksemburgu qartazi e konsideron marrëdhënien me Kosovën si një partneritet të vërtetë”, ka thënë ajo.
Ministrat diskutuan në detaje për shumë fusha të bashkëpunimit siç janë: bashkëpunimi i ngushtë ekonomik, sferat e arsimit, shëndetësisë, sigurisë, kulturës si dhe perspektivën evropian sidomos të të rinjve. Ministrja Gërvalla tërhoqi vëmendjen rreth zhvillimeve në rajon dhe sfidave të lidhura me këto procese.
Ministrja Gërvalla falënderoi homologun e saj gjithashtu për mbështetjen e Luksemburgut gjatë pandemisë.
Në fund ministrja Gërvalla ftoi ministrin Asselborn për të vizituar Kosovën, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi.